Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë të hënën pretendimet se Uashingtoni po i ofron pagesa financiare Iranit, duke i cilësuar raportet si “lajme të rreme” në një postim në platformën e tij Truth Social.
Trump reagoi ndaj raportimeve që flisnin për një paketë financimi të mundshme prej disa miliardë dollarësh, duke mohuar konkretisht pretendimin për një shumë prej 300 milionë dollarësh. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai po i referohej edhe shifrave më të mëdha të përmendura në disa media ndërkombëtare.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance sqaroi se çdo fond i përfolur prej rreth 300 miliardë dollarësh nuk do të vinte nga taksapaguesit amerikanë, por nga aleatë rajonalë të SHBA-së.
Sipas tij, vendet e Gjirit Persik mund të investojnë në Iran vetëm nëse Teherani krijon kushte ekonomike të favorshme dhe sillet si një “vend normal” në sistemin ndërkombëtar.
Një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar më herët se diskutimet për një fond të mundshëm shumë miliardë dollarësh janë pjesë e negociatave diplomatike, por çdo progres financiar mbetet i kushtëzuar nga zhvillimet dhe angazhimet e palës iraniane.
