Trump ndalon fondet për shkencën, Evropa ndan 500 milionë euro fuqizimin e saj

Trump ndalon fondet për shkencën, Evropa ndan 500 milionë euro fuqizimin e saj

Në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj ndërprerjes së financimeve për kërkimin shkencor në SHBA, Bashkimi Europian ka njoftuar një investim të madh prej mbi 500 milionë eurosh për të fuqizuar shkencën dhe për të tërhequr studiues nga mbarë bota.

Ky njoftim vjen në një kohë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një sërë masash për të kufizuar apo anuluar financimet për kërkime që lidhen me diversitetin, dezinformimin dhe çështjet klimatike.

Në ngjarjen “Zgjidh Europën për Shkencën” të mbajtur në Universitetin Sorbonne në Paris, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehën shqetësim të thellë për kursin që po ndjek Amerika ndaj shkencës.

Macron kritikoi hapur Shtetet e Bashkuara duke thënë: “Askush nuk mund të kishte imagjinuar disa vite më parë që një nga demokracitë më të mëdha të botës do të anulonte programet kërkimore thjesht sepse fjala ‘diversitet’ ishte në program”.

Von der Leyen, nga ana tjetër, e quajti këtë qasje një gabim të madh. “Fatkeqësisht, ne po shohim se roli i shkencës në botën e sotme është vënë në dyshim. Investimi në kërkimin themelor, të lirë dhe të hapur është vënë në dyshim. Çfarë llogaritje jashtëzakonisht e gabuar.”

Reagimet vijnë pasi Fondacioni Kombëtar i Shkencës në SHBA njoftoi anulimin e qindra granteve që përfshijnë tema si barazia, informacioni mbi vaksinën dhe lufta kundër dezinformimit. Ndërkaq, një projekt-buxhet i publikuar së fundmi nga administrata Trump përfshin shkurtimin e fondeve për kërkimin mbi ndryshimet klimatike si dhe mbylljen e një institucioni që merret me kërkimet për infermierinë.

Në këtë kontekst, BE synon të vendosë veten si një qendër globale për shkencën, përballë asaj që e konsideron si tërheqje të SHBA-së nga parimet e kërkimit të lirë dhe të bazuar në fakte.

Related Articles