Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, njoftoi se Tom Homan, i cili ka shërbyer si drejtor i agjencisë me përgjegjësinë për zbatimin e ligjeve për emigracionin (ICE), do të shërbejë në administratën e tij të re si drejtues në nivel kombëtar për çështjet e emigracionit.
Në njoftimin e bërë në median sociale Truth Social, Presidenti i zgjedhur Trump e konsideron Homan një zyrtar të vendosur për çështjen e kufirit, ndërsa pritet që sipas zotimeve të bëra gjatë fushatës elektorale, do të zhvillohet edhe operacioni më i madh i deportimit të emigrantëve të paligjshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Krahas mbikëqyrjes së kufijve jugorë dhe veriorë si dhe “sigurisë detare dhe të aviacionit”, Trump tha se Homan “do të jetë në krye të të gjithë Deportimeve të të Huajve të Paligjshëm drejt Vendeve të Origjinës”, një pjesë qendrore kjo e agjendës së tij.
Ai tha se nuk ka “asnjë dyshim” se Homan “do të bëjë një punë fantastike, në këtë detyrë të shumëpritur”.