Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar për mundësinë e një konflikti të madh në Lindjen e Mesme.
Sipas Trumpit, “konflikti i madh” i paralajmëruar nga ai mund të ndodhë së shpejti, teksa zyrtarët amerikanë janë gjithnjë e më të shqetësuar se rreziku i një sulmi izraelit ndaj Iranit është rritur pasi Teherani njoftoi se do të intensifikojë aktivitetet e tij bërthamore.
“Nuk dua të them se është i afërt, por është diçka që mund të ndodhë shumë shpejt”, i tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, shkruan CNN.
Ambasadat amerikane në Lindjen e Mesme kanë kryer këtë javë vlerësime emergjente të sigurisë, dhe ky proces po vazhdon ndërsa SHBA po monitoron situatën e kërcënimit në rajon.
Kur u pyet çfarë i thanë izraelitët për të justifikuar largimin e personelit amerikan nga rajoni, Trump tha se “nuk më thanë asgjë, por unë thashë, shikoni, ka mundësi për një konflikt të madh”.