Trump paralajmëron Rusinë për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk ndalet lufta në Ukrainë

Trump paralajmëron Rusinë për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk ndalet lufta në Ukrainë

Vetëm dy ditë para takimit me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Rusinë për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk e ndalon luftën kundër Ukrainës.

Trump nuk dha detaje se me çfarë pasojash mund të përballet Moska nëse nuk i jep fund luftës që ka nisur mbi 3 vjet e gjysmë më parë në Ukrainë. Por, më 13 gusht, ai foli menjëherë pasi u inkurajua nga disa liderë evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të mbrojë interesat fundamentale të sigurisë së Evropës dhe Ukrainës.

“Qëllimi është të përfundojë lufta”, tha Trump, lidhur me atë që shpreson të arrijë në samitin e 15 gushtit në Alaskë.

Para se Trump të prononcohej, shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se biseda më 13 gusht, dy ditë para se Trump të takohet me Putin në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaskë, ishte “shumë e mirë”, ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përshkroi video-konferencën si “konstruktive”.

Trump po ashtu tha se biseda përmes video-lidhjes ishte “shumë e mirë”, duke shtuar se nëse takimi i tij me Putinin shkon mirë, ai do të dëshironte që shpejt të mbahej një takim i dytë me Putinin dhe Zelenskyn.

Megjithatë, ai nuk dha ndonjë afat kohor për një takim të tillë, por tha se Rusia do të përballet me pasoja nëse Putini nuk pajtohet që t’i japë fund luftës.

“Shpresojmë që tema qendrore në takimin [Trump-Putin] të jetë armëpushimi. Një armëpushim i menjëhershëm”, tha Zelensky në një konferencë për media në Berlin pas bisedës me Trumpin, ku ai mori pjesë së bashku me Merzin.

Takimi mes Trumpit dhe Putinit synon gjetjen e një rruge drejt përfundimit të luftës në Ukrainë që ka nisur mbi tre vjet e gjysmë më parë. Trump ka thënë se të dyja palët do të duhet të shkëmbejnë territor për të ndalur luftime të ashpra që kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima nga të dyja palët dhe kanë detyruar miliona ukrainas që të zhvendosen.

Pasi u duk se u lanë jashtë vëmendjes para takimit Trump-Putin, udhëheqësit evropianë dhe Zelensky kanë bërë përpjekje për t’u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet.

Uashingtoni duket se po përgatit Kievin dhe Moskën për kompromiset e mëdha për të përfunduar luftën, teksa nënpresidenti amerikan, JD Vance, paralajmëroi se çdo marrëveshje paqeje do të lërë të dyja palët “të pakënaqura”.

Por, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Trump ishte “shumë i qartë” në takimin e 13 gushtit se dëshiron të arrijë një armëpushim gjatë samitit dhe se presidenti amerikan e bëri të qartë se “çështjet territoriale që lidhen me Ukrainën… do të negociohen vetëm nga presidenti ukrainas”.

Trump do të “synojë të organizohet një takim trepalësh në të ardhmen” që do të përfshijë edhe Zelenskyn, tha Macron.

“Aktualisht, mbi tavolinë nuk ka plane serioze për shkëmbim territorial … Mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Dhe shpresojmë që [takimi] mund të mbahet në Evropë, në një vend neutral që është i pranueshëm për të gjitha palët”, shtoi ai.

“Duket se mënyra e të menduarit të Trumpit është më afër asaj të evropianëve sesa frikoheshin disa”, tha një zyrtar evropian për Radion Evropa e Lirë pas kësaj bisede virtuale.

Sa i përket idesë së një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rusia vazhdimisht ka sugjeruar se ai duhet të ndodhë vetëm kur palët të jenë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje, jo thjesht një armëpushimi.

Kjo gjë duket se është larg që të ndodhë, duke pasur parasysh dallimin e madh në qëndrimet ruse dhe ukrainase sa i përket disa çështjeve kryesore, përfshirë territorin dhe sigurinë, pavarësisht tre rundeve të bisedimeve direkte në Turqi që nga mesi i majit.

Bisedimet ndodhin në një moment kyç, me Trumpin gjithnjë e më të zemërur me Putinin dhe presidentin rus që nuk tregon shenja se do të heqë dorë nga kërkesat maksimaliste të Kremlinit.

Trump dhe Putin kanë zhvilluar gjashtë biseda telefonike, dhe i dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë ka vizituar Moskën të paktën tri herë.

Vendimi për t’u takuar me Putinin – diçka që paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, refuzoi ta bënte pas pushtimit të Ukrainë – pasqyron besimin e Trumpit se raporti i tij me liderin rus do të sjellë një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.

“Kryeministri ishte i qartë se mbështetja jonë për Ukrainën është e palëkundur – kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë dhe Ukraina duhet të ketë garanci të forta dhe të besueshme sigurie për të mbrojtur integritetin e saj territorial si pjesë e çdo marrëveshjeje”, u tha në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Related Articles