Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lëshuar sinjalin tani për një ulje të tarifave ndaj Kinës, duke shtuar shpresat për qetësim të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Gjatë një aktiviteti ku u prezantua marrëveshja tarifore me Mbretërinë e Bashkuar, Trump deklaroi se tarifat e vendosura mbi mallrat kineze që aktualisht kanë arritur nivelin rekord prej 145% nuk mund të shkojnë më lart, duke lënë të kuptohet se do të ketë një tërheqje në javët në vijim.
“Nuk mund të shkojë më lart. Është në 145, kështu që e dimë se do të ulen”, tha Trump, duke folur me tone të qarta për kthesën e mundshme në politikat tregtare të SHBA-së.
Në fundjavë, në Zvicër, pritet të zhvillohet një takim i nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kinezë, i cili shihet si një hap kyç për t’i dhënë fund përplasjes së ashpër tarifore që ka tronditur tregjet financiare globale dhe ka krijuar pasiguri të madhe ekonomike.