Ish-presidenti Donald Trump ka reaguar ashpër për vrasjen e tre ushtarakëve amerikanë në Jordani dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve nga një sulm me dron.
Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzoi Iranin dhe tha se presidenti Joe Biden është fajtori për fuqizimin e këtij shteti në Lindjen e Mesme.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e ushtarakëve që humbën jetën. Kjo është një ditë e tmerrshme për Amerikën. Ky sulm nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha President, as edhe një shans. As sulmi i Hamasit i mbështetur nga Irani ndaj Izraelit nuk do të kishte ndodhur kurrë. Lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur kurrë dhe do të kishte paqe në të gjithë botën. Në vend të kësaj, jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore”, tha Trump.
Pas sulmit, zyrtarë të tjerë republikanë reaguan duke kërkuar qëndrim më të ashpër kundër Iranit dhe forcave që ai mbështet në rajon.
Ndërkohë, Irani ka mohuar përfshirjen në këtë sulm me dron në Jordani. Zyrtarisht, një grupim i quajtur Rezistenca islamike në Irak ka marrë përsipër sulmin.
Presidenti Joe Biden dhe ministri i Jashtëm britanik David Cameron kanë fajësuar grupet e mbështetura nga Irani për sulmin e së dielës.
Ky incident, sipas analistëve të rajonit, shënon një moment të rëndësishëm, duke qenë se është hera e parë që trupat amerikane vriten në Lindjen e Mesme që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas në fillim të tetorit.
Pentagoni raporton se që nga mesi i tetorit, mbi 150 sulme kanë shënjestruar forcat amerikane dhe aleate në Irak dhe Siri, duke nxitur kundërveprime nga SHBA në të dyja vendet.
Sipas mediave ndërkombëtare shumë sulme ndaj forcave amerikane i kanë marrë përsipër grupe vendore në rajon, që mbështeten nga Irani.