Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se do të ndalojë pranimin e migrantëve nga të gjitha vendet e botës së tretë në Shtetet e Bashkuara, si dhe synon të heqë çdo mbështetje federale për personat që nuk janë shtetas amerikanë.
Deklarata u bë në rrjetin social Truth Social, pas vdekjes së gardistes 20-vjeçare, Sarah Beckstrom, e cila u plagos pranë Shtëpisë së Bardhë nga një migrant me origjinë afgane.
Trump tha: “Do ta ndalojë përgjithmonë migrimin nga të gjitha vendet e botës së tretë, në mënyrë që sistemi amerikan të mund të rikuperohet plotësisht. Do të largoj çdo person që nuk është një kontribut i pastër për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose që nuk është i aftë ta dojë vendin tonë, do të heq të gjitha ndihmat dhe subvencionet federale për personat që nuk janë shtetasit tanë, do t’ua heq shtetësinë migrantëve që prishin rendin publik dhe do të deportoj të gjithë të huajt që janë barrë për buxhetin, paraqesin rrezik sigurie ose nuk janë të përputhshëm me civilizimin perëndimor”.
Gjatë mandatit të tij, Trump ka ndërmarrë masa për të ulur numrin e kalimeve të paligjshme në kufirin me Meksikën, pjesërisht përmes angazhimit të ushtrisë. Në tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu reduktimin e numrit të refugjatëve të pranuar në maksimum 7,500 në vit, krahasuar me 125,000 gjatë mandatit të ish-presidentit Joe Biden.
Administrata amerikane gjithashtu po përpiqet të deportojë migrantët pa dokumente, megjithëse shpesh përballet me rezistencë nga komunitetet ku ata jetojnë, pasi shumë prej tyre janë të integruar, paguajnë taksa dhe punojnë në sektorë të rëndësishëm si bujqësia.
