Trump po shqyrton mundësinë t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj zonave bërthamore në Iran

Trump po shqyrton mundësinë t’i bashkohet Izraelit në sulmet ndaj zonave bërthamore në Iran

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e shqyrton seriozisht mundësinë që t’i bashkohet Izraelit në një operacion ushtarak ndaj zonave bërthamore të Iranit, përfshirë impiantin e ndjeshëm në Fordow.

Burime të njohura me zhvillimet i thanë “CBS”-it se kjo çështje ka qenë në qendër të diskutimit në takimin e sotëm të Trumpit me ekipin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, takim që zgjati rreth një orë e 20 minuta.

Edhe pse ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar, mësohet se nuk ka unitet të plotë brenda rrethit më të afërt të këshilltarëve të presidentit lidhur me përfshirjen e SHBA-së në një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

Nga ana tjetër, zyrtarët izraelitë po presin me padurim një sinjal nga Shtëpia e Bardhë. “Po presim për vendimin e presidentit”, citohet të ketë thënë për CNN një zyrtar izraelit i përfshirë në zhvillimet e fundit.

Në Uashington, kjo çështje ka ngjallur debat të nxehtë edhe në mesin e ligjvënësve amerikanë. Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, ka theksuar se aktualisht Trump është “brenda autoritetit të tij” për të vepruar, duke lënë të kuptohet se nuk është i prirur të japë menjëherë dritën jeshile për veprime ushtarake pa konsultime të mëtejshme.

Ndërkohë, senatori Lindsey Graham tha se presidenti duhet të marrë “shumë shpejt” një vendim për ndihmën ndaj Izraelit, duke zbuluar se këtë kërkesë ia ka bërë vetë Trumpit në një bisedë telefonike.

Në një qasje më të rezervuar, senatori Tommy Tuberville theksoi se Kongresi duhet të ketë fjalën për çdo vendim që lidhet me përfshirjen ushtarake të SHBA-së kundër Iranit. “Ne duhet të kemi fjalën për këtë, veçanërisht nëse në të përfshihet mundësia e një Lufte të Tretë Botërore. Kjo po bëhet shumë delikate”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Jim Risch, e mbrojti qasjen e presidentit, duke thënë se “Trumpi ka bërë punë të shkëlqyer”.

Related Articles