Presidenti amerikan, Donald Trump e ka zhvilluar një “bisedë të gjatë telefonike” me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Zelensky, në anën tjetër, ka thënë se i është bërë ftesë për vizitë të hënën në Uashington, për ta takuar Trumpin.
Sipas zëdhënëses, Karoline Leavitt, Trump e ka telefonuar Zelenskyn sa ka qenë në aeroplan gjatë kthimit në Uashington, pas takimit të zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaskë, i cili nuk është përmbyllur me armëpushim në Ukrainë.
Më vonë, Trump e ka konfirmuar bisedën edhe me liderët tjerë.
“Jemi pajtuar të gjithë që mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës është përmes një marrëveshjeje direkte për paqe, dhe jo përmes një pakti për armëpushim, i cili shpesh nuk zbatohet”.
Ai ka shtuar se nëse “gjithçka funksionon” pasi të takohet me Zelenskyn, atëherë do ta organizojë një takim me presidentin Putin.
Zëdhënës të Komisionit Evorpian kanë bërë të ditur se Trump ka biseduar më shumë se një orë me Zelenskyn, kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Friedrich Merz, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Liderët evropianë kanë thënë të shtunën se janë të gatshëm të vazhdojnë presionin ndaj Rusisë, përmes sanksioneve.
“Ne do të vazhdojmë t’i ashpërsojmë sanksionet dhe masat ekonomike, për t’i bërë presion ekonomisë ruse të luftës, derisa të ketë paqe të qëndrueshme”, është thënë në deklaratën e nënshkruar nga von der Leyen, Macron dhe Merz.
Sipas Presidencës ukrainase, Turmp ka biseduar fillimisht me Zelenskyn, dhe më pas janë bashkuar në thirrje edhe liderët evropianë.
Zeelensky ka thënë përmes një postimi në Telegram se biseda me Trumpin ka qenë substanciale.
“Ukraina e konfirmon sërish se është e gatshme të punojë në mënyrë sa më produktive që është e mundur, për hir të paqes. Presidenti Trump më ka informuar për takimin e tij me liderin rus, për pikat kryesore të bisedës së tyre. Është e rëndësishme që fuqia amerikane të ndikojë në zhvillimin e situatës”.
Zelensky ka thënë se e mbështet propozimin e Trumpit për takim trepalësh në mes të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.
“Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivel të liderëve dhe formati trepalësh është i përshtatshëm për ne”.
Ai ka paralajmëruar se mund të takohet me presidentin Trump të hënën në Uashington.
“Është e rëndësishme që evropianët të përfshihen në të gjitha fazat, për të pasur garanci të qëndrueshme të sigurisë, bashkë me Amerikën. I kemi diskutuar sinjalet pozitive prej palës amerikane sa i përket pjesëmarrjes në garanci të sigurisë për Ukrainën. Vazhdojmë të koordinohemi me partnerët për të gjitha pozicionet tona”, ka thënë mes tjerash Zelensky.
Trump dhe Putin kanë folur shkurt në një konferencë për media dhe nuk kanë pranuar pyetje. Takimi i tyre ka zgjatur rreth tri orë, në bazën ajrore amerikane në Alaskë.
Trump ka thënë se ekipi i tij ka arritur “përparim të madh” drejt dhënies fund të luftës, mirëpo ende nuk ekziston një marrëveshje.
Putini ka thënë se Rusia këmbëngul në atë që e quan “rrënjë të problemit” – gjuha që përdor Kremlini, përmes së cilës kërkon çarmatosjen e ushtrisë ukrainase, dhe që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO.
Ndërkohë, dronët rusë dhe raketat kanë vazhduar ta godasin Ukrainën pas përfundimit të samitit.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Moska i ka nisur 85 dronë Shahed dhe një raketë balistike Iskander-M.
Kievi ka thënë se shumica e dronëve janë rrëzuar, mirëpo 12 kanë depërtuar në rajonet Sumi, Çernihiv, Donjeck dhe Dnjipropetrovsk.
Në Dnjipropetrovsk, sulmi në një ndërtesë banimi e ka vrarë një person dhe e ka plagosur një tjetër.
Ndaras, Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar për rrëzimin e 29 dronëve ukrainasë në gjashtë rajone.
Shënjestra kryesore është thënë të ketë qenë fabrika e lëndëve kimike Azot.