Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet ta rishqyrtojnë anëtarësimin në NATO, duke kritikuar aleatët për mosndihmën në luftën ndaj Iranit.
Anëtarësimi në NATO, sipas Trumpit, është “sigurisht diçka për të cilën duhet të mendojmë”, ndërsa ai shprehu pakënaqësi për refuzimin e aleatëve për t’iu përgjigjur kërkesave të tij për ndihmë.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi tha se SHBA-ja nuk ishte e detyruar të ndihmonte kur Rusia pushtoi Ukrainën, duke lënë të kuptohet një krahasim mes luftës atje dhe konfliktit në Iran.
“Ne i ndihmojmë ata, dhe ata nuk na ndihmuan ne, dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e keqe për NATO-n”, ka thënë Trumpi.
Ai ka shtuar se aleatët e NATO-s mbështesnin qëllimin e SHBA-së për të ndaluar Iranin të sigurojë armë bërthamore, por hezitonin të përfshiheshin në luftë.
“Askush nuk dëshiron që Irani të ketë armë bërthamore sepse këta njerëz janë të çmendur. Janë absolutisht të çmendur, dhe janë të egër e të dhunshëm. Të gjithë bien dakord me këtë, por nuk duan të ndihmojnë”, ka deklaruar Trumpi.
