Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, nisi një sulm të plotë ndaj rivalëve demokratë Joe Biden dhe Kamala Harris në Grand Rapids, Michigan, ndërsa u kthye në fushatë një javë pasi i mbijetoi një atentati në Butler, Pensilvani.
Në tubimin e tij të parë që nga të shtënat tronditëse, dhe i pari me kandidatin e ri, senatorin e Ohajos, J.D Vance, Trump doli në skenë me një fashë më të vogël ngjyrë bezhë.
Ai iu referua atentatit si një “ngjarje e tmerrshme”.
“Nuk duhet të jem këtu, por le ta pranojmë, ndodhi diçka shumë e veçantë”, tha Trump.
Trump tha se “i detyrohej jetën e tij emigracionit”, sepse ai kishte kthyer kokën drejt një grafiku rreth kalimeve kufitare përpara se plumbi t’i kalonte nga koka dhe t’ia godiste veshin.
Ndër tjera, ish-presidenti tha se kundërshtarët e tij e quajnë atë “një kërcënim për demokracinë”, por u kundërpërgjigj se ai “mori një plumb për demokracinë”.
Trump iu referua gjithashtu kaosit të lidershipit brenda partisë Demokratike, i cili është konsumuar me një debat nëse Joe Biden duhet të tërhiqet nga gara për president, mes shqetësimeve për moshën dhe shëndetin e tij.
“Ata nuk e kanë idenë se kush është kandidati i tyre, dhe as ne nuk e dimë”, tha Trump duke iu referuar Bidenit si një “djalë i vjetër i dobët”.
Në formë shakaje, Trump tha se do të preferonte të ishte në Michigan sesa të ulej “në një plazh të mërzitshëm duke parë valët” – goditje kjo për Bidenin i cili aktualisht është i izoluar në shtëpinë e tij në plazhin e Delaware, duke u shëruar nga COVID.
Ndërsa Trump bëri fushatë, ekipi i tij bëri një përditësim zyrtar mbi lëndimet e tij, shkruan The Guardian.
Ronny Jackson i cili shërbeu si mjek i Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës Trump, tha se plumbi i shkrepur nga arma e Crooks erdhi “goditi pjesën e sipërme të veshit të tij të djathtë” dhe prodhoi një “plagë 2 centimetra të gjerë”.
Jackson tha se plaga është duke u shëruar, por ish-presidenti ende ka gjakderdhje.
Në arenën e Michigan, ish-presidenti i SHBA-së vazhdoi të parashikonte një zgjedhje dërrmuese, duke pyetur turmën nëse ata preferonin që ai të konkurronte kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, apo Bidenit.
Por, ai tha se do të ishte i lumtur të kandidonte edhe kundër guvernatorit të Michiganit, Gretchen Whitmer, për të cilin tha se ka bërë “një punë të tmerrshme”.
Trump goditi temat e tij të zakonshme, duke sulmuar automjetet elektrike, Kinën dhe tregtinë dhe duke premtuar një përpjekje masive për dëbim.
Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat se një presidencë e dytë Trump do të ndikohej nga manifesti ekstremist Projekti 2025 nga Fondacioni konservator Heritage.
Dokumenti, tha ai, është prodhuar nga “e djathta e ashpër dhe shumë konservatore dhe e kundërta e së majtës radikale”.
“Nuk di asgjë për të dhe nuk dua të di asgjë për të”, shtoi Trump.
Në skenë u ngjit edhe Vance i cili mori një pritje të ngrohtë, pavarësisht rivalitetit midis shtetit të tij të lindjes, Ohio dhe Michigan.
Vance kritikoi si republikanët ashtu edhe demokratët në fjalimin e tij për dështimin e mëparshëm në mbrojtjen e vendeve të punës në prodhim në Michigan dhe SHBA.
“Të dyja palët u thyen në mënyra shumë të thella derisa erdhi Trump”, tha ai.
Ndryshe, turmat e njerëzve prisnin jashtë arenës Van Andel në Grand Rapids, Michigan, për të përshëndetur ish-presidentin.
Ndryshe nga panairet e hapura të qarkut javën e kaluar, tubimi i fundit i Trumpit ishte në një arenë të mbyllur me një siguri më të madhe.
“Unë mendoj se ajo që do të shihni është vetëm një rritje vizuale e agjentëve shtesë dhe sigurisht një nivel mjaft i paprecedentë i oficerëve të policisë vetëm sepse është ngjarja e parë pas të shtunës së kaluar”, tha ish-agjenti i Shërbimit Sekret, Jason Russell.
Mesatarja e sondazheve të fundit në Michigan e vendos Trumpin me një avantazh prej 4% ndaj Bidenit.