Trump: Ukraina mund ta fitojë luftën, Rusia po duket si “tigër prej letre”

Trump: Ukraina mund ta fitojë luftën, Rusia po duket si “tigër prej letre”

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një deklaratë të pazakontë dhe të drejtpërdrejtë në lidhje me luftën midis Ukrainës dhe Rusisë, duke vlerësuar se Kievi është në pozicion të favorshëm për të rikthyer të gjithë territorin e tij dhe për ta fituar luftën, nëse mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe NATO.

Në një mesazh të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump shprehu bindjen se Rusia po përjeton një kolaps ekonomik për shkak të kostos së luftës, ndërsa e cilësoi vendin si një “tigër prej letre” që ka dështuar të përfundojë një konflikt që, sipas tij, “një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar për më pak se një javë”.


“Pas njohjes dhe kuptimit të plotë të situatës ushtarake dhe ekonomike midis Ukrainës dhe Rusisë, dhe pasi kam parë vështirësitë ekonomike që kjo po i shkakton Rusisë, besoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në një pozitë për të luftuar dhe për rikthyer të gjithë territorin e saj në formën origjinale”, shkruan udhëheqësi i SHBA-së.

Ai e përshkruan Rusinë si të përfshirë në një luftë pa drejtim të qartë, e cila ka zgjatur për më shumë se tre vjet e gjysmë, duke e përballur vendin me mungesë të theksuar të burimeve bazë si karburanti dhe me radhë të gjata në stacionet e furnizimit.

Lideri amerikan shton se ekonomia ruse është e përqendruar pothuajse e tëra në financimin e luftës, ndërkohë që Ukraina, sipas tij, “ka një shpirt të madh dhe po forcohet çdo ditë.”

“Putini dhe Rusia janë në vështirësi të mëdha ekonomike, dhe tani është momenti që Ukraina të veprojë”, shkruan 79-vjeçari.

Në fund të deklaratës, Trump bën të ditur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta furnizojnë me armë NATO-n, duke i lënë aleancës ushtarake ndërkombëtare vendimmarrjen për përdorimin e tyre.

“Uroj të dyja vendet. Fat të mbarë për të gjithë!”, përfundon ai.

Related Articles