Trumpi: Izraeli është pajtuar me një armëpushim 60-ditor në Gazë

Trumpi: Izraeli është pajtuar me një armëpushim 60-ditor në Gazë


Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka deklaruar se Izraeli ka rënë dakord me “kushtet e nevojshme” për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Gazë, transmeton Gazeta Enigma.

Gjatë marrëveshjes së propozuar, “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, ka shkruar Trump në një postim në Truth Social, pa detajuar se cilat janë kushtet.

“Katarianët dhe egjiptianët, të cilët kanë punuar shumë për të ndihmuar në sjelljen e Paqes, do të paraqesin këtë propozim përfundimtar. Shpresoj… që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të përmirësohet – vetëm do të përkeqësohet”, ka shkruar Trumpi, raporton BBC.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, ka thënë se Izraeli është “absolutisht” gati për një armëpushim, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse Hamasi do të pranonte kushtet e marrëveshjes së propozuar.

Njoftimi i Trumpit vjen para një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të planifikuar për javën e ardhshme, në të cilin presidenti i SHBA-së ka thënë se do të jetë “shumë i vendosur”.

Trumpi ka thënë po ashtu të martën se besonte se Netanyahu donte t’i jepte fund armiqësive në Gazë.

“Ai dëshiron. Mund t’ju them se ai dëshiron. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën tjetër”, ka shtuar Trumpi.

Rreth 50 pengje izraelite janë ende në Gazë, të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Javën e kaluar, një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se ndërmjetësit kanë rritur përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim të ri dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gazë, por se negociatat me Izraelin mbeten të bllokuara.

Izraeli ka thënë se konflikti mund të përfundojë vetëm kur Hamasi të jetë shpërbërë plotësisht. Hamasi ka bërë thirrje prej kohësh për një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.

Komentet e Trumpit vijnë menjëherë pasi Izraeli urdhëroi evakuime në Gazën veriore përpara rritjes së veprimeve ushtarake. Të paktën 20 palestinezë janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një kafene buzë detit në qytetin e Gazës të hënën, sipas mjekëve dhe dëshmitarëve okularë.

Related Articles