Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpp, tha të hënën se i është nënshtruar kontrollit me rezonancë magnetike (MRI) gjatë vizitës së fundit në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare “Ëalter Reed”, por refuzoi që të jepte hollësi për arsyen e hyrjes në këtë procedurë.
Këto komente e shënuan herën e parë që politikani 79-vjeçar ofron shpjegim për kontrollin e dytë mjekësor këtë vit. Vizita e 10 tetorit, e përshkruar nga Shtëpia e Bardhë si “check-up” vjetor rutinor, nxiti pyetje për shëndetin e presidentit, pasi erdhi vetëm gjashtë muaj pasi ai i ishte nënshtruar një ekzaminimi të gjerë mjekësor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“E bëra, mora një MRI, ishte e përsosur” – tha Trumpi para gazetarëve gjatë udhëtimit për në Tokio. Megjithatë, njëri nga presidentët më të moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara nuk e tregoi arsyen e skenimit të tillë mjekësor, duke u thënë gazetarëve “t’i pyesin mjekët”.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve për të dhënë më shumë hollësi se pse Trumpi iu nënshtrua kontrollit me rezonancë magnetike.
Presidenti amerikan tha se mjekët u kishin ofruar gazetarëve një raport “shumë bindës” për ekzaminimin, por Shtëpia e Bardhë nuk ka treguar pse Trumpi bëri një vizitë të dytë në qendrën mjekësore “Walter Reed”, ndryshe nga tradita presidenciale për një ekzaminim gjithëpërfshirës mjekësor në vit.
“Trumpi mbetet me shëndet të jashtëzakonshëm, duke shfaqur performancë të fortë kardiovaskulare, pulmonare, neurologjike dhe fizike” – tha në një dokument pas vizitës mjeku i presidentit amerikan, Sean Barbabella.
Mjeku theksoi se vlerësimi mjekësor e ndihmoi përgatitjen për udhëtimet e Trumpit jashtë vendit dhe përfshiu skenime të avancuara, testime laboratorike dhe vlerësime shëndetësore parandaluese.
Rezonanca magnetike kryhet përmes magneteve dhe radio-valëve për të prodhuar pamje të hollësishme brenda trupit të njeriut. Ajo mund të përdoret për të vëzhguar një varg çrregullimesh dhe sëmundjesh.
Në korrik, Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se Trumpi kishte ënjtje në pjesët e poshtme të këmbëve dhe mavijosje në dorën e djathtë, pasi në fotografi presidenti shihej me kyçe të ënjtura të këmbëve dhe makijazh mbi pjesën e mavijosur të dorës.
