Trumpi pezulloi ndihmat ndërkombëtare, ja se si do ndikojë kjo në Kosovë

Trumpi pezulloi ndihmat ndërkombëtare, ja se si do ndikojë kjo në Kosovë

Grupet humanitare, organizatat joqeveritare, sipërmarrësit, fermerët dhe qeveritë në të gjithë botën po përcjellin me shqetësim planet e Uashingtonit, pasi presidenti i sapobetuar amerikan, Donald Trump, e pezulloi ndihmën për vendet e huaja, në pritje të një vlerësimi nga administrata e tij.

Në Kosovë, një përpunues i drurëve shpreson se Uashingtoni nuk do t’ia kthejë shpinën vendit të tij.

Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për pezullimin e ndihmave amerikane për zhvillim për 90 ditë, duke thënë se “asnjë ndihmë e mëtejshme e Shteteve të Bashkuara, nuk do të jepet në atë mënyrë që nuk përkon plotësisht” me politikën e tij të jashtme.

Urdhri i Trumpit nuk specifikoi se cilat vende, programe ose pranues të këtyre ndihmave do të preken dhe nuk ishte menjëherë e qartë se si do të ndikojë ai në ndihmat tashmë të përvetësuara nga Kongresi amerikan në buxhetin federal.

Ndikimi në Kosovë

Kreshnik Shehu, një përpunues i drurëve në Kosovë, thotë se ndihma e SHBA-së ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e eksporteve të kësaj lënde.

Kompania e Shehut, ashtu si edhe sektori i drurit në përgjithësi në Kosovë, kanë përfituar nga financimet e USAID-it (Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar).

“Në vitin 2014, eksportet në sektorin tonë ishin 2.5 milionë euro”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.

“Sot, ato janë më shumë se 150 milionë euro. Kjo tregon se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kontributi i USAID-it ka qenë shumë i madh. Ai ka qenë një faktor vendimtar në rritjen e këtij sektori”, shton Shehu.

USAID-i thotë se ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

“Nëse ajo ndihmë nuk do të ekzistonte, do të kishim mbetur shumë vite prapa”, thotë Shehu, kompania e të cilit e ka selinë në qytetin e Drenasit.

Shehu thotë se “nuk dua të besoj se USAID-i do të na kthejë shpinën”.

“Ne ende kemi nevojë për të, sepse ende nuk jemi rritur sa duhet për të përballuar konkurrencën e pabesueshme në tregun ndërkombëtar”, thotë ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, konfirmon se USAID-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit të Kosovës.

“USAID-i vazhdon të ndihmojë shoqata dhe biznese të shumta, përfshirë ndërmarrje të udhëhequra nga gratë, kompani të teknologjisë informative dhe biznese të orientuara nga eksporti”, thotë Rafuna.

Ai shton se USAID-i ka ndihmuar edhe në uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ka qenë i rëndësishëm në ofrimin e ndihmës për gjetjen e zgjidhjeve për mosmarrëveshjet tregtare, që përfshinin eksportet dhe importet në tregjet serbe dhe rajonale. Pra, përveç nxitjes së zhvillimit ekonomik, USAID-i ka luajtur një rol jetik në uljen e tensioneve mes dy vendeve”, sipas Rafunës.

Trump, prej kohësh, ka qenë kritik ndaj ndihmave të SHBA-së për vendet e huaja, të cilat përbëjnë rreth 1 për qind të buxhetit federal.

“Ne do të japim ndihma vetëm për ata që na respektojnë dhe, sinqerisht, janë miqtë tanë”, ka thënë Trump gjatë mandatit të parë presidencial, derisa ka mbajtur një fjalim në Kombet e Bashkuara në vitin 2018.

Në një deklaratë të lëshuar më 22 janar, sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio, i zgjedhur nga Trump, ka thënë:

“Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justifikohet me përgjigje në tri pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”.

Related Articles