Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në rastin e Salih Mustafës do të ketë përbërjen e njejtë edhe në rastin e Pjetër Shalës.
Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), pas njoftimit nga gjykatësi i procedurës paraprake se dosja e çështjes ndaj Pjetër Shalës do të jetë gati për t’i kaluar trupit gjykues me 21 shtator, ka caktuar përbërjen e trupit gjykues.
“Trupi gjykues do të përbëhet nga gjyqtarët si në vijim: Roland Dekkers, Mappie Veldt-Foglia, Gilbert Bitti dhe Vladimir Mikula, i cili do të jetë gjyqtar rezervë”, transmeton ‘Betimi për Drejtësi’.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars të këtij viti nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.
Ndërsa me 19 prill të këtij viti, ishte mbajtur paraqitja e parë e Pjetër Shalës, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.