“Front Online” ka siguruar disa statistika nga Trusti që e demantojnë kryeministrin Albin Kurti, i cili pretendon se gjatë qeverisjes së tij janë hapur 25 mijë vende pune.
Bazuar në të dhënat e Fondit të Kursimeve Pensionale, në tre muajt e fundit të 2021-s – tetor, nëntor dhe dhjetor – numri i kontribuesve në Trust ishte 419 mijë e 654. Kurse në tre mujorin pasardhës – janar, shkurt, mars 2022 – 317 mijë e 803.
Trusti demanton keq Qeverinë: Ka rënie të punësimit në Kosovë!
Rënia e llogarive aktive në Trust për 102 mijë, përkthehet në po kaq vende pune më pak në Kosovë në tregun formal, ku edhe bazohet shefi i qeverisë, Albin Kurti kur flet për rritjen e punësimit.
Këto të dhëna ekonomistët po i shohin si shqetësuese.
“I bjen që për 24.34 % kemi më pak kontributdhënës e që përmes Trustit të Kosovës e nxjerrim një pasqyrë reale se nuk kemi krijim të vendeve të punës, por kemi humbje të vendeve të punës ose pjesërisht kemi punësim informal, pra punëtorët të cilët punojnë në biznese si të paregjistruar e të cilët nuk i gëzojnë te drejtat e tyre të cilat derivojnë nga kontrata e punës”, theksoi ekonomisti Imer Raçi.
Humbja e vendeve të punës, ky thotë se e thellon akoma më shumë krizën ekonomike.
“Këto të dhëna duhet të paraqesin një shqetësim për Qeverinë sepse nëse kemi të bëjmë me humbje të vendeve të punës atëherë kriza ekonomike që po vjen si pasoj e rritjes së çmimeve në këto familje thellohet. Gjithashtu papunësia është një parametër matës i zhvillimit ekonomik. Pra, kurrsesi nuk kemi të bëjmë me rritje të vendeve të punës”, u shpreh tutje Raçi.
Ekonomisti tjetër, Mustafë Kadrijaj thotë se matjet e Trustit janë të besueshme, teksa deklaratat e Kurtit për punësimin e quan fontanë dëshirash.
“Nuk e di ku e merr guximin kryeministri me fol ashtu, kur edhe Trusti jep shifra që janë në kundërshtim me të. Kryeministri vetëm luan me shifra, del me shifra çfarë i konvenojnë atij, për të treguar përformancë më të mirë. Shihet në terren, nuk do shumë deklarime, nuk kemi zhvillim të hovshëm ekonomik”, theksoi Kadrijaj.