Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abidixhiku tha se sonte në Prishtinë, në tubimin me Forumin Rinor, u ka folur të rinjve, siç u shpreh ai, “si një ëndërrimtar i madh i të ardhmes që duam ta kemi”.
Ai u shpreh se ka zëra cinik që vazhdojnë të siç u shpreh, ndajnë, përçajnë, e shprehin secilin mllef ndaj gjithçkaje që nuk ngjason me ta, mirëpo Abdixhiku tha se s’duan të ngjasojnë me ta.
“Jam i sigurt se teksa ne mblidhemi sot këtu dhe flasim për të ardhmen e shpresë, ka zëra cinik jashtë, që vazhdojnë të ndajnë, përçajnë, e shprehin secilin mllef ndaj gjithçkaje që nuk ngjason me ta. Pushtetia agresiv e arrogant sot jep helm e vrerë! E vërteta është që s’duam të ngjasojmë me ta! Që s’duhet të ngjasojmë me ta! S’do të ngjasojmë me ta! Janë të çuditshëm. Janë besa dhe të mërzitshëm. Janë thjeshtë oldtimera politik! Ankues të padurueshëm politik! Sonte, u fola të rinjëve si një ëndërrimtar i madh i të ardhmes që duam ta kemi dhe – më lejoni ta them me plot bindje se do ta kemi”.
“Do ta kemi të ardhmen që e meritojmë! Kjo e ardhme nuk i takon atyre që ndajnë e përçajnë e ndjellin veç vrer! Kjo e ardhme u takon atyre që besojnë në Republikë! Besojnë në vendin tonë origjinal, të barabartë e krenarë, mes popujve e kombeve Evropiane. Kjo e ardhme na takon neve që nxisim shpresë e besim! Kjo e ardhme u takon atyre që besojnë në rini, në juve, pasurisë më të madhe tonën. U takon atyre që ëndërrojnë dhe guxojnë të ëndërrojnë; guxojnë t’i kthejnë këto ëndrra në veprime e aksione, aq të forta, aq të qarta, aq dridhëse, sa që do të dridhin Kosovën më 9 shkurt të vitit që po na vjen”, shkroi Abdixhiku.