Turistë dillera, arrestohen dy shtetas anglezë që dyshohet se shisnin drogë në Dhërmi

Turistë dillera, arrestohen dy shtetas anglezë që dyshohet se shisnin drogë në Dhërmi

Policia shqiptare ka arrestuar dy turistë anglezë, të cilët shisnin lëndë narkotike në zonën e bregdetit të jugut.

Në pranga përfunduan një 38-vjeçar dhe një 28-vjeçar, të dy banues në Londër, të cilëve iu gjet në banesën ku ishin akomoduar lëndë narkotike e llojit GHB (Gamma-hydroxybutyrate), e ndarë në 37 doza. Përveç drogës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 2 aparate celulare, raporton a2.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas kishin ardhur si turistë nga Anglia në Dhërmi, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik”, tha Policia.

Ky është rasti i dytë që turistë anglezë arrestohen si shitës të lëndëve narkotike. Disa ditë më parë, policia arrestoi 3 të tjerë, të cilët shisnin drogë në Dhërmi, kokainë, kanabis dhe ekstazi në zonën bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.

Gjatë kontrollit, të arrestuarve iu gjetën 50 doza të lëndëve narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi, 3 celularë dhe 2 peshore elektronike. Gjithashtu u sekuestruan shuma parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, konkretisht 3,260,000 lekë, 12,110 euro dhe 2,060 paund.

Related Articles