Doli i pari në votimet presidenciale.
Por kjo nuk qe e mjaftueshme që presidenti turk Rechep Tajip Erdogan, të fitoj mandatin e tij të tretë në krye të shtetit, meqë nuk mori mbështetjen e mbi 50 përqind të popullit.
Për të vazhduar me drejtimin e pozitës më rëndësishme shtetërore, të cilën e pati për 10 vjet, Erdogan do t’i nënshtrohet edhe një herë garës me opozitarin, Kemal Kilicdaroglu.
Ky proces i ri zgjedhor, u konfirmua nga autoritete turke se do të mbahet më 28 maj.
“Është konstatuar se asnjë kandidat nuk ka mundur të kualifikohet për zgjedhjet e parashikuara në nenin 4 të ligjit nr.6271 dhe është vendosur nga bordi ynë që raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohet të dielën, më datë 28 maj 2023″ njoftoi Ahmet Yener, President i Këshillit të Lartë Zgjedhor.
Nga pjesëmarrja e larte në votime prej 88.92, Erdogan arriti të marrë 49.51 përqind, derisa rivali i tij pesë përqind më pak.
Kësaj përballje tha se nuk i frikësohet Erdogan, i cili mëngjesin e së hënës doli të përshëndes mbështetësit e tij, që i qëndruan besnik me orë të tëra pranë selisë partiake.
“Nëse kombi ynë ka bërë zgjedhjen e tij në favor të raundit të dytë të zgjedhjeve, atëherë kjo është gjithashtu e mirëseardhur. Ne besojmë se do ta përfundojmë këtë raund me mbi 50% të votave.” tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Balotazhi e gëzoi fortë kundër-kandidatin nga partia republikane, i cili i bindur në fitore se pas 20 vjetësh në pushtet, herë si kryeministër e herë si president po e largon Edroganin, iu drejtua mbështetësve.
“Unë jam këtu, dhe ju jeni këtu me mua. Betohem në Zot se do të luftoj deri në fund.”deklaroi, Kemal Kilicdaroglu, kandidat presidencial dhe lider i CHP
Kjo derisa mbështetja absolute për Erdogan në disa rajone ishte kontestuar nga grupi ndërkombëtar i monitorimit të OSBE-së, të cilët raportuan disa parregullsi në këtë proces zgjedhor.