Tusk: Pavarësia e Polonisë rrezikohet nëse Ukraina kapitullon

Tusk: Pavarësia e Polonisë rrezikohet nëse Ukraina kapitullon

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar të enjten se pavarësia e vendit të tij do të ishte e rrezikuar nëse Ukraina do të detyrohej të kapitullonte.

Gjatë një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel mbi financimin e Ukrainës, Tusk tha se udhëheqësit po përballen “në një proces shumë të vështirë” për të arritur një marrëveshje, duke përfshirë disa vende më kritike, si Belgjika, që “teorikisht janë më të rrezikuara nga veprime hakmarrëse ose financiare nga Rusia”.

Ai shtoi se po kërkohen mënyra për t’i bërë të gjitha vendet të ndihen të qeta me propozimet që po diskutohen.

Megjithatë, Tusk theksoi se edhe Polonia do të rrezikohej në rast se Ukraina detyrohet të dorëzohet, për shkak të mosveprimeve nga Evropa.

“Pavarësia polake do të ishte nën kërcënim nëse rezulton se si pasojë e vendimeve të dobëta ose mungesës së veprimit nga Evropa, Ukraina do të detyrohej të dorëzohet nga lufta”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se mbështetja e Ukrainës përmes fondeve ruse është thelbësore për sigurinë e Polonisë:

“Dua që kjo të kuptohet më në fund nga të gjithë – jo vetëm nga kolegët tanë këtu në Evropë, por edhe nga të gjithë në Poloni, se kur flasim për domosdoshmërinë e mbështetjes së Ukrainës duke përdorur këto fonde ruse, kjo ndodh sepse e dimë shumë mirë se pavarësia e Ukrainës e largon rrezikun e agresionit ose luftës nga kufijtë polakë. Anasjelltas, rënia e Ukrainës si rezultat i kësaj lufte do të nënkuptonte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Poloninë”, ka theksuar Tusk.

Related Articles