Tyson Fury-Deontay Wilder III, historik i shkurtër dhe çfarë duhet të dini para trilogjisë së shumëpritur

Tyson Fury-Deontay Wilder III, historik i shkurtër dhe çfarë duhet të dini para trilogjisë së shumëpritur

Tyson Fury do ta mbrojë titullin e botës në kategorinë e peshave të rënda në boks në divizonin WBC kundër Deontay Wilder më 9 tetor në T-Mobile Arena në Las Vegas (me fillim rreth orës 3:00 të mëngjesit të ditës pasuese me kohën tonë).

Para afro tre vitesh, dy boksierët zhvilluan meçin e tyre të parë. Kategoria e peshave të rënda ishte shumë ndryshe më 1 dhjetor të vitit 2018, në natën kur Fury (30-0-1, 21 nokaute) dhe Wilder (42-1-1, 41 nokaute) u ndeshën për herë të parë.

Asokohe Fury, Wilder dhe Anthony Joshua ishin të pamposhtur – amerikani mbante titullin WBC, kurse AJ të gjithë titujt tjerë (WBA, IBF, WBO dhe IBO), kurse Tyson ishte në periudhë rikthimi pas periudhës së vështirë që kaloi prej se e kishte mposhtur Wladimir Klitschkon.

Wilder e rrëzoi dy herë britanikun (në raundin e nëntë dhe të 12), por ky i fundit kishte arritur të marrë pikë mjaftueshme për ta mbyllur duelin baras.

Tifozët e boksit pritën pakëz më shumë se një vit për ta shikuar rimeçin, derisa dy boksierët në atë periudhë kishin regjistruar nga dy fitore secili. Në anën tjetër, Joshua i kishte humbur dhe pastaj i kishte rikthyer titujt përballë Andy Ruiz.

Meçi i dytë që u zhvillua më 22 shkurt 2020, ishte krejtësisht ndryshe nga i pari. Fury kishte premtuar qasje më agresive dhe ashtu veproi. U shfaq në aksion duke e sulmuar kundërshtarin dhe arriti ta rrëzonte në raundin e tretë dhe të pestë, derisa në raundin e shtatë, ekipi i Wilder e dorëzoi meçin duke hedhur peshqirin.

Tyson u shpall kampion bote në divizionin WBC dhe megjithëse ekzistonte në kontratë dueli për trilogjinë, për të arritur deri këtu ka pasur shumë kthesa të ndryshme. Pas meçit, Deontay deklaroi se do ta shfrytëzonte klauzolën për rimeç, ndërsa e fajësoi kostumin hyrës që kishte ndikuar në performancën e tij.

35-vjeçari e kërkoi zyrtarisht rimeçin më 1 mars të vitit 2020 duke caktuar datën 18 korrik për duelin, mirëpo ai nuk ndodhi deri më tani. Wilder-Fury II ishte një prej evenimenteve të fundit të mëdha sportive, para se bota “të ndalej” nga pandemia e coronavirusit që i la të gjitha planet në pritje.

Pas negociatave për data të ndryshme, Wilder doli me videomesazh në rrjetet sociale për t’i thënë Furyt “të bëhej burrë dhe ta mbante fjalën”. Në ndërkohë vazhdonin spekulimet se Tyson mund të përballej me Joshuan për unifikimin e titujve. Madje nga qershori i vitit 2020, ekipet e tyre filluan bisedimet për të arritur një marrëveshje për dy meçe.

Related Articles