U arrestua për manipulim me vota në Prizren, nipi i Fetah Paçarizit – emër i njohur për drejtësinë

U arrestua për manipulim me vota në Prizren, nipi i Fetah Paçarizit – emër i njohur për drejtësinë

Granit Paçarizi është nipi i Fetah Paçarizit. I pari është i njohur për organet e rendit dhe të drejtësisë, e i dyti po dyshohet se iu shtuan mijëra vota gjatë numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 28.12.2025.

Granit Paçarizi është në mesin e 109 të arrestuarve në aksionin e Policisë dhe Prokurorisë së Prizrenit që u realizua gjatë ditës së sotme, më 23.01.2026.

Por, kush është Granit Paçarizi dhe si njihet ai për sistemin?

Para arrestimit të sotëm (23.01.2026), vite më parë, më 2022, Policia e Kosovës kishte arrestuar të dyshuarin Granit Paçarizin për kanosjen e drejtorit të Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, dhe zyrtarëve të kësaj Drejtorie.

Policia në atë kohë kishte thënë se më 28 mars 2022, në orën 15:30, në objektin e Kuvendit Komunal në Prizren, në zyrë të Drejtorisë për Shërbime Publike, i dyshuari Granit Paçarizi kishte ushtruar presion dhe i kanosi personat zyrtarë lidhur me një tender për instalimin e ndriçimit publik në komunën e Prizrenit.

Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë e Prizrenit më 04.04.2022 kishin intervistuar viktimat në lidhje me rastin, ndërsa më 05.04.2022 në prezencë të avokatit mbrojtës ishte intervistuar edhe i dyshuari i lartcekur.

“Të dëmtuarit S.T., – menaxher i projektit i kanoset me fjalët ‘………. kam me të vra para Komune, nuk ke me gëzu pensionin’, ndërsa personit tjetër zyrtar Ç.L., Drejtor i Shërbimeve publike, i pandehuri e kanos me fjalët: ‘Nuk guxon kush me ndërpre kontratën’”- thuhej në njoftimin e Gjykatës me ç’rast Paçarizit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.04.2022.

Granit Paçarizi ishte edhe i falur nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2020.

Paçarizi, i cili ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor, mirëpo prokurori e kishte rihapur rastin duke e akuzuar për të dytën herë Granit Paçarizin, mirëpo, kësaj radhe për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Tutje kishte pasur raportime se Granit Paçarizi në ndërkohë kishte ndihmuar në zbulimin e një rasti të korrupsionit. Ai kishte filmuar një takim me shoferin e prokurorit ndërsa dyshimet për korrupsion në Prokurorinë e Prizrenit, të ngritura nga Paçarizi dhe familjarët e tij, bënë që prokurori i krimeve të rënda, Bajram Hamitaga, të suspendohej nga detyra nën dyshimet se kishte kërkuar 5 mijë euro ryshfet. /kallxo.com/

Related Articles