Faruk Statovci, trajner futbolli ka qenë edhe njëherë në qendër të vëmendjes këtë vikend, derisa me veprimet e tij të ulëta është komentuar negativisht në mediat online dhe jo vetëm, shkruan Gazeta “Enigma”.
Statovci ka ofenduar rëndë gjyqtarët të cilët po e drejtonin ndeshjen ndërmjet Trepçës dhe ekipit që ai drejton Rilindja 1974.
Një penalti e akorduar në favorin e vendasve ka nxituar reagimin e trajnerit Statovci, i cili nuk ka zgjedhur fjalët për t’i ofenduar gjyqtarët e ndeshjes dhe nuk ka kursyer veprimet edhe fizike.
Statovci, i cili është recidivist për sjelljet e pakontrolluara ndaj gjyqtarëve, ka deklaruar në televizionin “Kanal 10” që ka nevojë për ndihmën e mjekëve për t’i kontrolluar emocionet para ndeshjeve.
“Lojtarët e Rilindjes janë torturuar psikologjikisht nga gjyqtari gjatë 90 minutave. Nuk e arsyetoj veprimin tim dhe kam kërkuar falje publike. Në këto ndeshje janë dy versione. Versioni i parë është të ulesh e të përdorësh medikamente dhe të duket çdo gjë mirë ose duhesh të tërhiqësh nga zeja e trajnerit sepse kështu nuk bëhet”, deklaroi ndër të tjerash Statovci.
Ekipi tij Rilindja 1974 ndodhet në pozitën e shtatë të renditjes tabelare në Grupin A me 20 pikë të tubuara. /Gazeta Enigma/