U bllokuan nga bora në kufi, familja nga Kosova evakuohet pas disa orësh

U bllokuan nga bora në kufi, familja nga Kosova evakuohet pas disa orësh

Një familje nga Kosova, me tre fëmijë kishin mbetur për disa orë në mes të stuhisë së borës, në Pikën Kufitare Kullë, në zonën neutrale të kufirit Kosovë – Mal i Zi.

Pas arritjes së kontaktit, nga ‘Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës’ kanë bërë vlerësimin e gjendjes së tyre shëndetësore dhe më pas kanë realizuar evakuimin e tyre deri në zonën e sigurt.

Njoftimi i plotë:

Familja e bllokuar nga bora shpëtohet në zonën neutrale të kufirit Kosovë–Mal i Zi

Më datën 18.03.2026, Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK)

ka pranuar një thirrje për ndihmë nga Policia Rajonale e Pejës.

Si pasojë e reshjeve të dendura të borës, rruga rajonale Kullë–Rozhajë ishte bllokuar. Në veçanti, segmenti përkatësisht zona neutrale në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi kishte qenë tërësisht e pakaluar, duke bërë që shumë udhëtarë të mbeten të bllokuar me automjetet e tyre.

Një familje kosovare me tre fëmijë kishte kërkuar ndihmë, pasi kishte mbetur për disa orë në mes të stuhisë së borës.

Menjëherë pas pranimit të thirrjes emergjente, një ekip i ShKShMK-së nga stacioni i Pejës është nisur drejt vendit të ngjarjes me personel dhe pajisje specialistike të shpëtimit malor, duke përfshirë edhe një motosajë.

Më të arritur tek familja e cila ishte bllokuar në borë, teknikët e shpëtimit kanë bërë vlerësimin e gjendjes së tyre shëndetësore dhe më pas kanë realizuar evakuimin e tyre deri në zonën e sigurt, në Pikën Kufitare Kullë.

Përveç familjes së lartpërmendur, ndihmë u është ofruar edhe personave të tjerë të bllokuar në zonë.Po ashtu, është evakuuar edhe një shofer kamioni, i cili kishte mbetur i bllokuar në të njëjtin lokacion dhe gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Ai është dërguar drejt kufirit me Malin e Zi dhe i është dorëzuar autoriteteve malazeze, pasi ishte shtetas i këtij shteti.

Ky operacion është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit e Pejës.

ShKShMK apelon për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në segmentet rrugore që përshkojnë zonat malore. Edhe pse ndodhemi në prag të pranverës, këto zona mund të sjellin ende kushte të papritura dhe sfiduese.

Related Articles