Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me 34- vjeçarin Indrit Ndoj që u gjet i vdekur në lagjen “Bakishe Visha” në Fushë-Krujë.
Personi i fundit që ka komunikuar me riun ka qenë nëna e tij. Mësohet se ajo tha për oficerët e policisë se ka folur me të birin pasditen e së enjtes.
Sipas të njëjtave burime, nëna ka deklaruar se ka qenë hera e fundit që ka komunikuar me të birin. Ajo e ka pyetur nëse do të kthehej në shtëpi në mënyrë që t’i bënte bukën. 34-vjeçari i ka thënë se do të shkojë, por nuk u kthye më.
Sipas BalkanWeb, nëna tha gjithashtu për oficerët e policisë se familja e tyre nuk ka asnjë konflikt, as në lagje dhe me askënd tjetër.
Grupi hetimor ka kërkuar tablatet nga kompanitë telefonike. Në këtë mënyrë mund të zbulohen personat me të cilët i riu ka kontaktuar para se të ekzekutohej.
Ai kishte marrë një plagë në këmbë që ka rezultuar fatale për të riun nga fshati Hasan i Krujës. Kanali ku u gjet i vrarë ndodhet vetëm pak metra nga banesa e prindërve të të riut.
Nga grupi i hetimit thonë se në vendngjarje nuk u gjet asnjë gëzhojë.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ai të jetë qëlluar diku tjetër dhe të jetë hedhur në këtë rrugë nga autorët. Hetuesit nuk hedhin poshtë pistën që i riu të jetë qëlluar edhe me thikë përpara vrasjes.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria nuk ka ende një pistë konkrete për të vrasjen e 34-vjeçarit, Ndoji.
Viktima rezulton person me precedent, pasi në 2021 është arrestuar për trafik klandestinësh. Nisur nga këto të dhëna, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vrasja të ketë ardhur për motive banale.