Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë së Kukësit pasi u kapën duke i dhënë ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit. Ata do të bënin të mundur tranzitimin e tyre në territorin shqiptar me destinacion vendet e BE-së.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Morina”, u arrestuan:
-B. M., 32 vjeç (i dënuar më parë),
J. V., 35 vjeç dhe A. S., 29 vjeç, të tre banues në Tiranë;
-M. O., 28 vjeç, banues në Kukës;
-A. S., 26 vjeç, banues në Shkodër;
-F. F., 52 vjeç, banues në Prishtinë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi F. M., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Njëri prej tyre, i identifikuar me inicialet B.M., që u kap duke transportuar emigrantë, me një mjet që e drejtonte pa leje drejtimi, rezultoi person në kërkim nga DVP Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjete të ndryshme, emigrantë të paligjshëm, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 automjetet.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme. /tch/