Një qytetar i pastrehë, tash e një javë ka “uzurpuar” një hapësirë brenda Spitalit Rajonal të Mitrovicës, në repartin e Radiologjisë.
Ai, sipas informacioneve, në këtë hapësirë ku është vendosur, ushqehet e kryen nevojat fiziologjike, dhe vendi tashmë po kundërmon nga erërat.
Qytetari nuk ka probleme shëndetësore dhe kjo është konstatuar edhe nga mjekët të cilët ia kanë bërë të gjitha ekzaminimet mjekësore.
Front Online ka kontaktuar edhe me doktorin mjekësor në këtë spital, Naser Jashari, i cili e ka konfirmuar rastin derisa ka treguar se ky qytetar po qëndron në korridorin e Repartit të Radiologjisë dhe sipas tij, atë në spital e ka sjellë Policia.
Doktori Jashari: I pastrehu u soll në derë të Spitalit nga Policia
Jashari tha se Policinë e kanë kontaktuar gati 10 herë dhe nuk kanë marrë përgjigje.
Sipas tij, këta të fundit e sollën këtë të pastrehë që t’i bëjnë strehë në spital.
“Pacienti faktikisht nuk është i vendosur në repart, për shkak se nuk është pacient i joni fare, është njeri i pastrehë të cilin e ka sjell policia dhe e ka lënë në spital këtu. Pacienti nuk është i sëmurë, i kemi bërë të gjitha ekzaminimet tona, dhe ka dalë që nuk është për hospitalizim për asnjë repart, edhe faktikisht një person që është i pastrehë, po dëshirojnë t’i gjejnë strehë në spitalin tonë”, tha ai për Front Online, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Policia: Qendra për Punë sociale e la në Spital të pastrehun
Policia e mohon se ata e kanë sjell në spital këtë qytetar.
Thotë se atë rast Policia e referoi te Qendra për Punë Sociale dhe këta të fundit e kanë dërguar në spital./Gazeta “Enigma”/