Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i ftuar të dielën në TV Prva, ku iu përgjigj kritikave të shumta mediatike, por edhe akuzave të kundërshtarëve të tij opozitarë.
Vuçiq tha se nuk është mirë që liderët e partive opozitare shahen pa shije në postera, siç është rasti me Pavlo Grbovic, kryetarin e Lëvizjes Qytetarët e Lirë.
“Më sulmojnë se kam buzë të shëmtuara, nuk i kam bërë asgjë buzëve, fajin e ka nëna ime që më ka lindur kështu. Është çështje gjenetike. Më akuzojnë se Fahri Musliu është babai im. Me këtë rast u them se babai im quhet Angjelko Vuçiq, e jo Fahri Musliu”, ka thënë Aleksandar Vuçiq, transmeton Slobodna Bosna.
Fahri Musliu është gazetari shqiptar i cili sipas Slobodna Bosna kishte punuar në të njëjtin vend me nënën e presidentit serb, Angelina Vuçiq.
Musliu i tha Danasit se nuk dëshiron të komentojë faktin që Vuçiq e ka përmendur, pasi siç thekson ai nuk merret me shpifje, kushdo qofshin ato”.
“Lërini serbët dhe shqiptarët të argëtohen me budallallëqe, pasi e kanë në gjak të merren me shpifje dhe jetë të tjerëve”, ka thënë Musliu për Danas.
Siç shton ai, “është e trishtueshme kur politikanët dhe gazetarët merren me trillime dhe shpifje për hir të ndonjë interesi dhe pafuqie personale, të pistë, pa menduar se po u shkaktojnë fyerje dhe dhimbje mendore personave të tjerë të përmendur”, thekson Musliu.
Dikur, pas raportimeve në media se ai ishte babai biologjik i Aleksandar Vuçiqit, Fahri Musliu e mohoi këtë.
“Nuk e njoh Aleksandar Vuçiqin. Nëna e tij ishte një kolege e imja, por nuk kishim asgjë më shumë se fakti që punonim bashkë dhe ishim kolegë. Deklaratat e tilla janë vetëm spekulime”, ka thënë më herët Musliu, përcjell Slobodna Bosna.