U raportua për heqje të kompetencave të NJSI, Policia del me një sqarim

U raportua për heqje të kompetencave të NJSI, Policia del me një sqarim

Policia e Kosovës ka dalë me sqarim pas raportimeve të disa mediave se kinse Qeveria e Kosovës ka hequr disa nga kompetencat e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI).

Në sqarim thuhet se të gjitha autorizimet policore janë të përcaktuara me ligj dhe akte tjera normative, të cilat në vija të përgjithshme përshkruajnë organizimin dhe strukturimin e brendshëm policorë, përderisa detyrat specifike të punonjësve sipas pozitave, përshirë Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese, janë të rregulluara me përshkrim të detyrave dhe përgjegjësive të vendit të punës, autorizime dhe detyra këto të cilat  kanë qenë dhe mbesin të pandryshuara.

“Për më shumë, bazuar në strukturën organizative të Policisë së Kosovës e ndryshuar dhe miratuar vitin e kaluar, njësive të specializuara i është kushtuar rëndësi e veçantë, duke i ngritur nga siç ka qenë Divizion i Njësive të Specializuara, tani në Departament të Njësive të Specializuara, përfshirë këtu edhe avancimin e NJSI-së nga Njësi në nivel të Drejtorisë”, thuhet në sqarim.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të zhvillimit, avancimi dhe ngritjes profesionale të të gjitha njësive policore, me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe vendit.

Ndryshe, NJSI në nëntor dhe dhjetor 2023 protestoi para Qeverisë së Kosovës, me kërkesën për shtesa të rrezikshmërisë në punë.

Related Articles