Ukraina do të ndërtojë shkollën e parë nëntokësore për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse

Ukraina do të ndërtojë shkollën e parë nëntokësore për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse

Ukraina ka në plan të ndërtojë shkollën e saj të parë nëntokësore në qytetin lindor të Kharkivit, për të mbrojtur nxënësit nga sulmet me bomba dhe raketa ruse.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov.

Kharkiv, i cili është goxha afër me kufirin rus, pothuajse çdo ditë ka qenë cak i sulmeve ajore nga Rusia.

Ende nuk është bërë e ditur se kur do të hapet shkolla, raporton Aljazeera.com.

Shkollat ukrainase në zonat e vijës së parë kanë zhvilluar mësimin përmes internetit gjatë gjithë luftës.

Ndërsa, Kharkiv organizoi rreth 60 klasa të veçanta nëpër stacionet e saj të metrosë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Kjo metodë i ka dhënë hapësirë më shumë se 1 mijë fëmijëve që të zhvillojnë mësimin të sigurt.

Ministria e Arsimit e Ukrainës, tha se 363 institucione arsimore janë shkatërruar dhe rreth 3 mijë e 800 janë dëmtuar në të gjithë vendin që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës nga shkurti i 2022-tës.

Para se të niste lufta, Kharkiv i cili është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, kishte një popullsi prej më shumë se 1 milion e 400 mijë banorë.

Ndryshe, dje për këtë qytet është raportuar se aty është vrarë një civil dhe disa shtëpi u dëmtuan si pasojë e bombardimeve dhe sulmeve me raketa të Rusisë.

Related Articles