“Ukraina ka rënë dakord të mbajë zgjedhje presidenciale”

“Ukraina ka rënë dakord të mbajë zgjedhje presidenciale”

I dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff pohoi se Kievi ka “pranuar” të organizojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, pa dhënë detaje apo prova që mbështesin pretendimin e tij.

Në një intervistë me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Witkoff deklaroi se “do të ketë zgjedhje në Ukrainë”, duke shtuar se udhëheqja e vendit të shkatërruar nga lufta ishte “pajtuar me të”.

Bëhet e ditur se administrata Trump ka rritur presionin për të detyruar Ukrainën të organizojë zgjedhje në kohë lufte, gjë që vendit i është ndaluar me kushtetutë.

Presidenti amerikan e ka përshkruar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, si një “diktator pa zgjedhje”.

Kritikët thonë se zgjedhjet e kohës së luftës do ta ekspozonin Ukrainën ndaj taktikave të destabilizimit të Rusisë dhe do të ishin një makth logjistik për t’u organizuar në një vend që mbron veten nga një pushtim i gjithanshëm.

Në të njëjtën intervistë, Witkoff trajtoi gjithashtu hyrjen e mundshme të Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s, të cilën Rusia e kundërshton ashpër.

“Nëse do të ketë një marrëveshje paqeje, Ukraina nuk mund të jetë anëtare e NATO-s. Unë mendoj se kjo është pranuar gjerësisht”, tha Witkoff.

Por i dërguari i SHBA-së sugjeroi se Ukraina mund të përfitojë ende nga garancitë e ngjashme të sigurisë që u ofrohen shteteve të NATO-s sipas klauzolës së mbrojtjes kolektive të nenit 5 të aleancës, me anë të së cilës anëtarët e saj janë të detyruar t’i ofrojnë ndihmë njëri-tjetrit nëse njëri prej tyre sulmohet.

“Unë mendoj se është e hapur për diskutim”, tha i dërguari i posaçëm amerikan, pa dhënë më shumë detaje.

Related Articles