Ukraina sulmon dy qytete ruse, raportohet për 16 të plagosur

Ukraina sulmon dy qytete ruse, raportohet për 16 të plagosur

Këtë të enjte dronët ukrainas goditën dy qytete ruse, ku së paku 16 persona kanë mbetur të lënduar sipas autoriteteve lokale.

Sulmi ka ndodhur një ditë para një samiti mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë për luftën në Ukrainë.

Trembëdhjetë persona u lënduan, dy prej tyre seriozisht, kur një dron goditi një objekt banimi në qytetin jugor rus, Rostov-on-Don, tha guvernatori rajonal në detyrë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Tre civilë u plagosën në qytetin Belgorod afër kufirit me Ukrainën, sipas guvernatorit të atij rajoni, i cili publikoi një video ku dukej se shfaqej një dron duke goditur një veturë në qendër të qytetit.

Në një rast tjetër, kreu i rajonit Volgograd të Rusisë tha se mbetjet nga dronët ukrainas kishin shkaktuar një zjarr në një rafineri nafte.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të takohen të premten në Alaskë, përderisa kreu i Shtëpisë së Bardhë po mundohet që ta sjellë fundin e luftës në Ukrainë.

Ukraina ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pushtimin rus të rajoneve lindore të saj, ndërsa Rusia ka thënë se kushtet e saj për ndaljen e luftimeve nuk kanë ndryshuar: tërheqja e forcave ukrainase nga katër rajonet lindore dhe heqja dorë nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO.

Related Articles