Ushtria ukrainase ka thënë se forcat e saj kanë vazhduar të rikthejnë kontrollin e territoreve që i kishin pushtuar forcat ruse, pas nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë se forcat e saj mbrojtëse kanë çliruar më shumë se 20 fshatra, më 11 shtator, në rajonet e Harkivit dhe Donjeckut, në lindje të Ukrainës.
Raketat ruse kanë goditur këto dy zona dhe rajone tjera, duke shënjestruar infrastrukturën kyçe, sipas zyrtarëve ukrainas.
Për probleme me rrymë dhe ujë është raportuar në Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhja dhe rajonet e Dnjipropetrovskut, çka ka çrregulluar jetët e miliona personave.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Rusia ka goditur termocentralin e dytë më të madh ukrainas TEC-5
Zelensky ka publikuar një video ku shihet në flakë ky termocentral në Harkiv.
Në orët e vona të 11 shtatorit është përmirësuar situata në disa rajone.
Zelensky ka thënë se Rusia është duke shënjestruar infrastrukturën civile “për t’i lënë njerëzit pa rrymë dhe ngrohje”.
“Terroristët rusë mbesin terroristë dhe vazhdojnë të sulmojnë infrastrukturën kritike. Nuk janë sulmuar objekte ushtarake, synimi i vetëm është lënia e njerëzve pa rrymë dhe ngrohje”, ka thënë ai nëpërmjet një postimi në Twitter.
Duke iu adresuar Moskës, Zelensky ka thënë: “A mendoni se ende mund të na frikësoni, të na thyeni apo të na detyroni të bëjmë koncesione?… I ftohti, uria, terri dhe etja, nuk na frikësojnë dhe nuk janë aq vdekjeprurëse sa ‘vëllazëria dhe miqësia juaj’. Mirëpo, historia do të vendosë gjithçka në vendin e vet. Ne do të kemi gaz, drita, ujë dhe ushqim… edhe pa ju!”
Në fushëbetejë, Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë më 11 shtator se luftimet janë duke vazhduar rreth qytezave të Izjumit dhe Kupianskut.
Kupiansku ka rëndësi strategjike për Rusinë, pasi prej aty janë furnizuar trupat ruse për t’i luftuar forcat ukrainase.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 10 shtator se tërheqja nga Izjumi dhe zonat tjera është bërë për të forcuar ushtrinë ruse në rajonet e Donjeckut në jug.
Ky arsyetim ka qenë i ngjashëm me atë të marsit, kur Rusia është tërhequr nga Kievi.
Komandanti i Përgjithshëm i Ukrainës, Valeriy Zaluzhniy, ka thënë më 11 shtator se forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e 3.000 kilometrave katrorë, prej nisjes së kundërofensivës në fillim të muajit shtator.
Ai ka thënë se trupat ukrainase janë vetëm 50 kilometra larg kufirit me Rusinë.
Një batalion ka shpërndarë një video të forcave ukrainase në ndërtesën e fshatit Hoptivka, i cili gjendet vetëm dy kilometra afër kufirit dhe vetëm 19 kilometra në veri të Harkivit.
Guvernatori i Harkivit, Oleh Syniehubov, ka thënë se trupat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e më shumë se 40 vendbanimeve në këtë rajon.
Teksa zmbrapsjet vazhdojnë të rriten në fushëbetejë, Kremlini ka thënë se është i hapur për të biseduar me Kievin.
“Rusia nuk i kundërshton negociatat me Ukrainën, mirëpo sa më shumë që zgjatet procesi, aq më e vështirë do të jetë arritja e një marrëveshjeje”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për televizionin shtetëror më 11 shtator.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.