Një qendër tregtare në Ukrainë, e cila raportohet se ka pasur me mijëra persona brenda, është goditur me një raketë nga ana e forcave ruse dhe ka shkaktuar atë që pritet të jetë një tragjedi e vërtetë.
Nga pamjet e para, duket qartësisht se qendra është e përfshirë nga flakët dhe nuk dihet ende se si mund të jetë bilanci i viktimave.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar menjëherë duke publikuar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.
“Asnjë rrezik për forcat ruse. Asnjë vlerë strategjike. Vetëm një përpjekje për të jetuar lirisht nga njerëz normale, gjë e cila e nxeh pafund okupatorin”.
Me këto fjalë i është adresuar Zelensky opinionit publik, duke e përshkruar goditjen e objektit nga Moska si krim barbar.
Sipas tij, Kremlini thjesht po përdor pafuqinë e vet për të goditur qytetarët e thjeshtë të një vendi të lirë. Ndaj, është e kotë që të pritet ndonjë ndjenjë humaniteti prej tyre.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, teksa njerëzit janë në panik total.
Shumë prej tyre kanë arritur të dalin nga qendra, por nuk dihet se sa të tjerë mund të jenë të bllokuar brenda.
Me zjarrin e madh që duket qartësisht nga pamjet, njëmendsh mund të mendohet se viktimat mund të jenë të shumta.