Historiani Sylë Ukshini ka thënë se pikërisht në kohën kur po diskutohej për arritjen e marrëveshjes mes NATO-së dhe UÇK-së për demilitarizimin e kësaj të fundit, luftë e ashpër po bëhej nga eksponentë brenda vendeve evropiane dhe ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Siç thotë ish-ambasadori Ukshini, është meritë e madhe e Madelene Albright dhe James Rubin, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes.
“Ky nënshkrim do të ketë efekte dy dekada më vonë, kur transformohet TMK-ja në FSK. Këtu duhet të dihet që kjo është një kontribut i jashtëzakonshëm, pa diskutim pa përkrahjen e Madeline Albright dhe James Rubin, që kanë qenë në atë kohë, nuk do të bëhej sepse edhe brenda evropianëve edhe Rusia lobonin shumë në Këshillin e Sigurimit që të mos ketë asnjë element ushtarak”, tha Ukshini në Rubikon të Klan Kosovës.
Ukshini madje në Rubikon, ka prezantuar edhe dokumentin e shkruar me dorë, përmes së cilit thotë se njoftohej edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, se po arrihej marrëveshja me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Këtu është një dokument i shkruar me dorë ku njoftohet G8 dhe SHBA-të që marrëveshja po negociohet mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe NATO-së. Dhe në G8 ku i shkon një raport Bill Clintonit se është një lajm i mirë që po nënshkruhet kjo marrëveshje. Dhe kur e sheh njeri këtë dimension, krejt këtë angazhim të bashkësisë ndërkombëtare e diplomacisë ndërkombëtare, ti e sheh që, për herë të parë shqiptarët arrijnë të lëvizin të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Ukshini.