Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutash, ka thënë se presin nga Serbia të ushtrojë rolin e saj në mbajtjen përgjegjës të autorëve të dhunës gjatë tensioneve të vitit 2023 në veri të Kosovës.
Në një intervistë për media serbe në Beograd, Ulutash foli edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, duke thënë se aktualisht është e qetë dhe se nuk ka vërejtur “ndonjë ndryshim domethënës në këtë drejtim kohët e fundit”.
“Sigurisht, situata mbetet gjithashtu e brishtë, si rezultat i çështjeve ende të pazgjidhura. Mandati im i parë erdhi menjëherë pas incidenteve të rënda të sigurisë në veri të Kosovës dhe rritjes së pranisë së KFOR-it në terren. Ne nuk kemi parë përsëritje të të njëjtit nivel dhune. Megjithatë, ne ende presim që ata që janë përgjegjës për një dhunë të tillë të pajustifikuar të mbahen përgjegjës”.
Në këtë drejtim, Ulutash përsëriti deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO’s, i cili kishte bërë thirrjen sërish në Bruksel se autorët e sulmit të Banjskës duhet mbajtur përgjegjës.
“KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit. Megjithatë, aleatët e NATO-s mbeten të shqetësuar për rritjen e dhunës në Kosovë në vitin 2023. Për dy vjet, NATO ka vazhduar të bëjë thirrje për llogaridhënie dhe që autorët e këtyre sulmeve të sillen para drejtësisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përsëriti këtë pikë, në margjinat e takimit të fundit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, në shkurt. Pra, ne llogarisim te autoritetet serbe që të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim. Ne kemi vënë re arrestimet e kryera nga institucionet në Kosovë, në lidhje me dhunën e pajustifikuar dhe të papranueshme të kryer kundër paqeruajtësve të KFOR-it në vitin 2023. Ne mirëpresim të gjitha hapat për të mbështetur sundimin e ligjit”.
Ulutash tha se zgjidhja e problemit është në fund të fundit është politike, jo ushtarake.
“Stabiliteti afatgjatë në rajon mund të arrihet vetëm përmes dialogut të qëndrueshëm politik, gatishmërisë për kompromis dhe zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve.NATO mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës për të normalizuar marrëdhëniet e tyre dhe për të adresuar çështjet e pazgjidhura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
Ai shtoi se KFOR-i mbetet i përgatitur mirë për të vazhduar mbështetjen e këtij dialogu, në koordinim të plotë me aktorët e tjerë ndërkombëtarë të komunitetit të pranishëm në Kosovë.
“Përveç kësaj, nxitja e zhvillimit ekonomik, forcimi i institucioneve demokratike dhe sigurimi i respektit për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit janë jetike për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm”.
Ndërkaq, për raportimet që SHBA mund të zvogëlojë prezencën e saj brenda KFOR’it, Ulutash tha se njëherë nuk ka “nuk ka ndryshime të rëndësishme” që janë në shqyrtim.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, duke përfshirë edhe brenda kornizës së misionit KFOR të udhëhequr nga NATO. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të vendosura me KFOR-in.
Ajo ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje (RC-Lindje) të misionit. RC-Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë përmes patrullave, ushtrimeve, angazhimeve me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjes për projektet e rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik. Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj mandatit tonë për aq kohë sa e kërkon situata e sigurisë”.
