Komandanti i KFOR-it, gjenerali turk Ozkan Ulutash, ka thënë sot se anëtarët e NATO-s janë ende të shqetësuar për dhunën që ndodhi në vitin 2023 në Banjskë dhe Zveçan dhe se presin që autoritetet serbe të “luajnë rolin e tyre” në këtë drejtim.
Ulutash ka përsëritur se ka më shumë se dy vjet që NATO ka kërkuar që autorët e këtyre akteve të mbahen përgjegjës.
“Për më shumë se dy vjet, NATO ka kërkuar të përcaktojë përgjegjësinë e autorëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, e theksoi këtë qëndrim në shkurt, gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të anëtarëve të aleancës,” tha Ulutash.
“Ne llogarisim në autoritetet serbe që ta kryejnë pjesën e saj në këtë aspekt”, shtoi ai.
Ai vlerësoi se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se nuk ka vënë re ndryshime të rëndësishme krahasuar me vitet 2023 dhe 2024, kur ishte në krye të misionit të KFOR-it.
“Nuk kam vënë re ndonjë ndryshim domethënës, por situata është ende e ndjeshme, gjë që është rezultat i problemeve të pazgjidhura”, tha Ulutash.
Sipas tij, përshkrimi më i zakonshëm i situatës në Kosovë si “e qëndrueshme, por e ndjeshme” do të thotë se mjedisi i sigurisë është i sigurt, por tensionet politike nuk janë zhdukur.
“Kjo do të thotë që incidentet relativisht të vogla mund të përshkallëzohen shpejt. Nëse kjo nuk trajtohet me përgjegjësi, ndikimi në sigurinë e Kosovës dhe sigurinë rajonale mund të jetë negativ, tha Ulutash për FoNet.
