Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka dorëzuar 66 mijë pipeta që përdoren për marrjen e mostrave të testeve COVID-19, në Institutin Kombëtar të Shënetësisë Publike të Kosovës.
“Dorëzimi i 66,240 pipetave që përdoren për marrjen e mostrave të testeve COVID shënon mbylljen e përpjekjeve të përbashkëta njëvjeçare në sigurimin urgjent të produkteve dhe pajisjeve shëndetësore të nevojshme në përgjigje të pandemisë COVID. Me këtë ngjarje, UNDP dhe partnerët synojnë të përcjellin angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj ndërsa vazhdojnë luftën kundër COVID-it dhe tu përgjigjen ndikimeve të pandemisë”, thuhet në komunikatën e UNDP-së.
Gjatë këtij pranim dorëzimi prezent ishte edhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia i cili ka theksuar rëndësinë e partneriteteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar gjatë pandemisë.
“Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës për këto donacione, veçanërisht për përfaqësuesit e Luksemburgut, Austrisë, Zvicrës dhe Norvegjisë që ishin të gatshëm të na mbështesin gjatë krizës COVID. Ju keni qenë këtu me ne që nga shpërthimi i pandemisë. Për më shumë se një vit, ne kemi qenë dëshmitarë se sa e rëndësishme është të qëndrojmë së bashku”, theksoi ai.
Ndërkaq ambasadori austriak në Kosovë Christoph Weidinger është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen e Austris në këtë bashkëpunim.
“Si pjesë e këtij projekti të koordinuar nga UNDP, vitin e kaluar Austria dhuroi 250.000 Euro për të siguruar më shumë se 13.600 komplete testimi dhe sot, ne kemi kënaqësinë të dorëzojmë këto pipeta së bashku me partnerët. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se në këtë pandemi, askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi dhe të falënderoj UNDP-në dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për implementimin profesional të projektit si dhe bashkëpunimin e gjatë në Kosovë”, theksohet të ketë thënë ambasadori austriak.