Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR), ka thënë të martën se situata në Ukrainë mund të bëhet “kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë këtë shekull” me më shumë se 600 mijë refugjatë që besohet se janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje deri më tani.
“UNHCR-ja po mobilizon burimet për t’iu përgjigjur sa më shpejt dhe në mënyrë efektive”, shtohet në deklaratë.
Më herët të martën, UNHCR lëshoi një apel për 1.7 miliardë dollarë ndihmë, duke vlerësuar se 12 milionë njerëz brenda Ukrainës mund të mbeten në nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, me katër milionë të tjerë që pritet të kenë nevojë për ndihmë në vendet fqinje.
“Ndërsa kemi parë solidaritet dhe mikpritje të jashtëzakonshme nga vendet fqinje në pritjen e refugjatëve, duke përfshirë nga komunitetet lokale dhe qytetarët privatë, do të nevojitet shumë më tepër mbështetje për të ndihmuar dhe mbrojtur të ardhurit e rinj”, tha të martën Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.
Sipas UNHCR-së, programi i saj i ndihmës do të përfshijë “ndihmë në para për njerëzit më të cenueshëm, ndihmë ushqimore, ujë dhe kanalizime, mbështetje për kujdesin shëndetësor dhe shërbimet arsimore, dhe asistencë në strehimore për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara”.
1.1 miliardë dollarë nga fondet do të përdoren për të ndihmuar gjashtë milionë njerëz brenda Ukrainës për një periudhë fillestare tre mujore, sipas UNHCR.
“Grupet e ndihmës do të kenë nevojë për hyrje të sigurt dhe të papenguar në të gjitha zonat e prekura nga konflikti, sipas parimeve thelbësore humanitare të humanizmit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë operacionale”, shtohet në deklaratë.