Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka shprehur dhimbje dhe pikëllim të thellë për ndarjen nga jeta të dy studenteve të Fakultetit të Edukimit, Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi, të cilat humbën jetën tragjikisht në një aksident në Ranillug.
Në një telegram ngushëllimi drejtuar familjeve Basha dhe Thaqi, rektori i universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka përcjellë solidaritetin dhe mbështetjen e institucionit akademik në këto momente të rënda. “Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të studenteve tona. Kjo humbje e rëndë dhe e parakohshme ka prekur të gjithë komunitetin tonë,” thuhet në telegram.
Arbnora Basha, studente e dalluar dhe Kryetare e Këshillit të Fakultetit të Edukimit, u cilësua si një shembull i angazhimit dhe përkushtimit, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për universitetin. Ndërsa Antiana Thaqi, po ashtu, u përkujtua për kontributin e saj dhe boshllëkun që la në mesin e kolegëve dhe komunitetit akademik.
“Arbnora dhe Antiana do të mbeten në mendjen dhe kujtesën tonë si vajza të zgjuara dhe studente të dalluara,” u shpreh rektori.
Universiteti theksoi se kjo tragjedi ka ndërprerë ëndrrat dhe rrugëtimin e dy vajzave, duke lënë pas një humbje të pazëvendësueshme.
“Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje për kontributin dhe ëndrrat e tyre të papërmbushura,” përfundon telegrami.
Në emër të Universitetit “Kadri Zeka” dhe personalisht, rektori Dërmaku u ka përcjellë familjeve ngushëllimet më të sinqerta, duke u qëndruar pranë në këtë kohë të vështirë.