UP-ja ia vazhdon pezullimin nga puna profesorit Xhevat Krasniqi

UP-ja ia vazhdon pezullimin nga puna profesorit Xhevat Krasniqi

Pasi i kaloi gjashtë muaj i pezulluar nga puna në Universitetin e Prishtinës, profesori i Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i dyshuar se kishte ngacmuar seksualisht 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë në UP, do të jetë i pezulluar deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria.

Kështu ka vendosur të mërkurën më 23.10.2024, rektori i ri i UP-së, Arben Hajrullahu.

Hajrullahu thotë se ia ka vazhduar pezullimin nga puna Krasniqit pa afat të caktuar.

“Është sjellë një vendim i ri sot prej meje, personi në fjalë [Xhevat Krasniqi] qëndron i suspenduar deri në raportin e organeve profesionale. Del fajtor – fluturon prej Universitetit, nuk del fajtor – kthehet në punë edhe njeken akuzueset e rrejshme, ky është qëndrimi im parimor” – ka shtuar Hajrullahu më 23.10.2024.

Sipas rektorit Hajrullahu, Administrata e UP-së është interesuar dhe ka shkuar në organet e hetuesisë se a kanë përfunduar hetimet e tyre për rastin ndaj profesorit Krasniqi.

“Unë nuk e paragjykoj rastin edhe ia kanë konfirmuar hetuesia që ende jemi t’u i intervistu, nuk kemi raport. Derisa nuk ndryshon gjendja faktike, as profesori në fjalë, askush nuk mundet m’u kthy tash me thanë veç kaluan gjashtë muaj edhe eja ti kthehu në mësim. Kur të ndryshon gjendja faktike, te kemi raportin profesional për rastin në fjalë, atëherë na vendosim” – ka thënë rektori Hajrullahu për KALLXO.com.

Profesori Krasniqi nga muaji qershor i këtij viti është i dyshuar për ngacmim seksual, në bazë të fillimit të hetimeve nga Prokuroria e Prishtinës, kur pranoi kallëzim penal ndaj tij.

Para se të merrej Prokuroria me të, Krasniqi u pezullua nga puna në UP përmes një vendimi të ish-rektorit të UP-së, Qerim Qerimi, më 23.04.2024.

Related Articles