Ushtarakëve amerikanë të lidhur me misionin në Amerikën Latine u kërkohet ta nënshkruajnë moszbulimin

Ushtarakëve amerikanë të lidhur me misionin në Amerikën Latine u kërkohet ta nënshkruajnë moszbulimin

Zyrtarëve ushtarakë amerikanë të përfshirë në operacionet në zgjerim e sipër të presidentit Donald Trump në Amerikën Latine u është kërkuar që të nënshkruajnë marrëveshje për moszbulimin e informacioneve, sipas tre zyrtarëve amerikanë, zhvillim që ngre pyetje të reja rrethgrumbullimit ushtarak për të cilin Venezuela ka frikë se mund të sjellë pushtim.

Ky hap është shumë i pazakontë, duke e marrë parasysh faktin se zyrtarëve ushtarakë amerikanë tashmë u kërkohet që t’i mbrojnë sekretet kombëtare të sigurisë nga zbulimi publik dhe masa vjen kur ligjvënësit në Kongres thonë se po mbahen në terr informativ rreth aspekteve kyçe të misionit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zyrtarët që folën me agjencinë “Reuters” në kushte anonimiteti nuk dinin se sa anëtarëve të Departamentit të Mbrojtjes u është kërkuar që t’i nënshkruajnë këto marrëveshje dhe nuk ofruan hollësi të mëtejme rreth fushave që mbuloheshin nga deklarata e moszbulimit.

Përderisa Departamenti i Mbrojtjes ka shfrytëzuar marrëveshje të tilla kohë pas kohe që nga emërimi i Pete Hegseth-it në krye të këtij institucioni në janar, përdorimi i pakteve të moszbulimit nga Pentagoni që lidhen në mënyrë specifike me Amerikën Latine nuk është raportuar më parë.

Pentagoni javën e kaluar e njoftoi dislokimin e aeroplanmbajtëses “Gerald Ford” në Amerikën Latine, duke e përshkallëzuar grumbullimin ushtarak për të cilin ekspertët thonë se tejkalon shumë çfarëdo kërkese për operacione kundër narkotikëve, që janë qëllimi i deklaruar deri më tani i misionit amerikan.

Ushtria amerikane ka kryer të paktën 13 sulme kundër barkave të dyshimta të drogës, kryesisht në Karaibe, që nga fillimi i shtatorit, duke vrarë më shumë se 50 njerëz. Pentagoni ka ofruar pak hollësi për njerëzit e vënë në shënjestër, por ka pranuar se disa prej tyre ishin nga Venezuela, Kolumbia dhe Ekuadori.

Sekretari Hegseth ka ndërmarrë një varg hapash në përpjekje për ta kontrolluar rrjedhjen e informatave që nga marrja e pozitës së të parit të Pentagonit në fillim të vitit. Ai i ka thënë stafit se duhet të marrin leje para se të komunikojnë me anëtarë të Kongresit, sipas një dokumenti të datës 15 tetor. Ai gjithashtu ka nisur hetime rreth rrjedhjes së informatave dhe ka kërkuar nga gazetarët që raportojnë për Pentagonin që të nënshkruajnë një politikë të re rreth qasjes së mediave, duke ua tërhequr akreditimin atyre që nuk pranuan një hap të tillë.

Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Related Articles