Ushtarët ukrainas bëjnë një pushim në qendrën e rehabilitimit, para se t’u kthehen luftimeve

Ushtarët ukrainas bëjnë një pushim në qendrën e rehabilitimit, para se t’u kthehen luftimeve

Të ulur në kolltuqe të rehatshme në një dhomë me ndriçim të ulët me erë livandoje dhe pishe, burrat po marrin frymë thellë teksa mbyllin sytë dhe dëgjojnë muzikë relaksuese në sfond.

Por kjo nuk është një SPA.

Të veshur me uniformat e tyre ushtarake, ushtarët ukrainas po bëjnë një pushim në këtë qendër rehabilitimi në rajonin e Kharkiv për të rikthyer trupin dhe mendjen e tyre përpara se të kthehen në vijën e frontit.

Lufta e pamëshirshme 10-mujore ka shtyrë një komandant lokal të transformojë një sanatorium të vjetër të epokës sovjetike në një qendër shërimi për ushtarakët për të trajtuar sëmundjet mendore dhe fizike.

“Ky rehabilitim po i ndihmon ushtarët që, të paktën për një javë, të bashkohen”, tha Oleksandr Vasylkovskyi, nënkolonel i Forcave të Armatosura të Ukrainës, shkruan AP.

Ai kujton se si ushtarët vuajtën në heshtje pasi u kthyen në shtëpi nga luftimet kundër Rusisë në Donbas në vitin 2014.

Vetëvrasjet në mesin e veteranëve u rritën në vitet në vijim, me shumë raste të patrajtuara të çrregullimit të stresit post-traumatik.

Ai shpreson se një qendër si kjo mund të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën për kujdes të shëndetit mendor dhe të parandalojë vetëvrasjet në të ardhmen.

Aty, ushtarëve u ofrohen një sërë trajtimesh: terapi me ujë në një pishinë të nxehtë për të shëruar dhimbjet e muskujve, terapi me laser të kuq për të përmirësuar qarkullimin e zemrës dhe gjakut, një dhomë me kripë për frymëmarrje më të mirë dhe terapi elektro-gjumë për ata që kanë makthe.

Psikologët janë gjithashtu në dispozicion jo vetëm për ushtarët, por edhe për familjet e tyre që merren me traumat e luftës.

Ushtarët gjithashtu i nënshtrohen kontrolleve mjekësore, shpjegoi Vasylkovskyi.

“Është gjëja më e rëndësishme sepse mund të zhvillohen disa sëmundje nga stresi i luftës”, shtoi ai.

Përveç plagëve psikologjike të luftës, ushtarët vijnë këtu edhe për të trajtuar meningjitin, kontuzionet, amputimet, inflamacionet e mushkërive dhe nervave, çrregullimet e gjumit, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundjet kardiovaskulare, ndër të tjera.

Më shumë se 2,000 ushtarë janë trajtuar në këtë vend që kur u hap në qershor.

Qendra merr mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë në Letoni, Lituani, Rumani, Poloni, SHBA dhe Spanjë.

Sipas Vasylkovskyi, kostoja e një dite rehabilitimi për një ushtar është rreth 20 euro.

Por nevojiten më shumë fonde, tha ai, “sepse lufta nuk ka mbaruar”.

Related Articles