Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vazhdon të mbetet “mollë e ndaluar” për punësim të qytetarëve të thjeshtë. Ky institucion historikisht i ka punësuar vetëm të afërmit e “të fortëve” politikanë.
Javën e kaluar në këtë institucion me shumë rëndësi për nga benefitet është punësuar vajza e ish-kryeministrit Hajredin Kuqi, Argonë Kuqi në departamentin ligjorë të këtij institucioni.
“IndeksOnline”, ka mësuar se Kuqi është përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme.
“IndeksOnline” përkundër përpjekjeve për të marrë një prononcim nga ish zëvendës kryeministri Kuqi, për ndikimin e tij në këtë proces, ai nuk është lajmëruar në telefon.
Për punësimet e personaliteteve të “fuqishme” në BQK tashmë auditori është duke e trajtuar këtë çështje. Këtë e ka bërë të ditur një burim brenda këtij institucioni.
Nga BQK-ja nuk kanë kthyer përgjigje për punësimin e vajzës së Hajredin Kuqit.
Në një reagim nga BQK-ja kanë thënë se se procesi i rekrutimit në BQK është i rregulluar me aktet juridike të brendshme të BQK-së.
“Bazuar në këto akt juridike, shpallen konkurset për pozita të caktuara, sipas të cilave akte themelohet Komisioni ad-hoc për zhvillimin e procedurave të rekrutimit, i cili komision është përgjegjës dhe i pavarur në kryerjen e detyrave lidhur me procesin e rekrutimit”, thuhet në reagimin e BQK-së.
Po ashtu në këtë reagim ata kanë sqaruar se s’ka ndonjë dispozitë ligjore që i ndalon punësimet e vëllezërve apo motrave të politikanëve.
“Gjithashtu, më lejoni të ju informoj se nuk ka ndonjë dispozitë ligjore, e cila e obligon BQK-në që me rastin e aplikimit apo përzgjedhjes së një kandidati në një pozitë të lirë pune në BQK të kërkoj nga ai/ajo të deklarohet se kënd e ka vëlla apo motër, në çfarë pozitash i ka të punësuar vëllezërit apo motrat, apo të ndërmarrim veprime për të vërtetuar një gjë të tillë”, thuhet në reagim.