Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në Pejë, ku një grua dyshohet se ka rrahur babain e saj të moshuar.
Sinjali mëson se 73-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se e bija 34-vjeçare e ka sulmuar fizikisht.
Si pasojë e dhunës, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar tretman mjekësor në spital, ndërkohë që e dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, 34-vjeçares i është caktuar masa e ndalimit policor dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.