Koordinatori i Qendrës “1 Tetori”, Niman Bardhi, tha se nga data 8 prill deri të marten në mesditë, nga personat 75 -79 vjeç me sëmundje kronike, janë vaksinuar 1172 persona. Ai njëherit njoftoi se të moshuarit me sëmundje kronike të moshës 75-79 vjeç do vazhdojnë të vaksinohen deri në datën 22 prill.
Në këtë sallë gjithashtu po vazhdon vaksinimi edhe i personelit shëndetësore, i personave me dializë dhe të moshuarve mbi 80 vjeç.
Ai shtoi se nga data 8 prill, numri total i të vaksinuarve në këtë qendër, është më shumë se 2.750 persona.
“Është dita me radhë prapë që jemi duke vazhduar me persona me sëmundje kronike të moshës 75 vjeç e sipër dhe aktualisht deri në këto qastë që flasim, kemi të vaksinuar 1172 persona mbi 75 vjeç me sëmundje kronike. Ndërsa në total nga data 8 deri më datën e sotme që kemi përfshirë personelin shëndetësore, të moshuar, persona me dializë dhe këta të sëmur kronikë, në total, kemi kaluar 2750. Deri në fund të ditës së sotme po ashtu presim që ky numër të jetë në rritje. Ndërsa me këtë kategori 75 vjeç e sipër deri më datën 22 do të vazhdohet po me të njëjtin interval. Kurse, nga data 22 e tutje mbi bazën e vendimit që do të sjell komiteti drejtues në Ministrinë e Shëndetësisë do të dalim pastaj edhe me veprime tjera”, tha ai.
Qytetarët e sapo vaksinuar në sallën “1 Tetori”, thonë se ata me shumë dëshirë kanë ardhur për t’u vaksinuar, pasi që edhe kishin sëmundje shoqëruese, raporton KP.
79 vjeçari nga Prishtina, Shefki Muçolli, thotë se ka plotësuar kushtin për vaksinim por nuk është ngutur, pasi që nuk e ka marrë shumë serioze çështjen e virusit.
“Jam 79 vjeçare, kam plotësuar kushtin për t’u vaksinuar …Jo dilema nuk kam pas por edhe nuk jam ngut fort se nuk e kam marrë atë aq serioze, por këto kalojnë”, tha ai.
Ndërsa, 75 vjeçari Azem Dragusha thotë se ka punuar në shëndetësi dhe ka pritur me gëzim vaksinimin por nuk dëshironte të linte dikë tjetër pa u vaksinuar.
“Unë 40 vite kam punuar në shëndetësi…kam prit me padurim të vijë këtu por mendoja se që tollovi dhe tani më vështirë, e nuk kisha dëshirë dikujt me ia nxënë vendin”, tha ai
Zymer Haxhia 76 vjeç, tha për KosovaPress, se ka pasur dilema se do të vijnë vaksinat dhe ka pasur frikë nga virusi për shkak të gjendjes së keqe shëndetësorë.
“Veç thoja a vinë se prej frikës se unë me shëndet të lig e çdoherë më keq po bëhet, e tash ndoshta më mirë diçka”, tha ai.
Përndryshe, presidentja e Komisionit Evropian, Ursulua Von DerLeyen ka njoftuar se 95.000 doza të vaksinave të financuara nga BE do të arrijnë në Kosova nga muaji maj deri në fund të gushtit.