Valdete Daka flet për fillimet e karrierës dhe jetën familjare: Pas punës çdo herë jam amvise

Valdete Daka flet për fillimet e karrierës dhe jetën familjare: Pas punës çdo herë jam amvise

Valdete Daka, gjyqtare dhe ish-kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë e ftuar në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, ku ka folur për periudhën e viteve të 80’ta dhe fillimet e karrierës së saj.

Ajo ka treguar se në atë kohë ka pasur pak gra gjyqtare, ndaj edhe ushtrimi i këtij profesioni ka qenë i vështirë edhe me sfida.

“Po fillimisht ka qenë e vështirë, sepse unë jam emëru shumë moti dhe atëherë ka pasur shumë pak femra të cilat kanë qenë gjyqtare, sidomos në lami penale dhe ka qenë pak e vështirë, ka qenë pak ashtu e mundimshme me ua shpjegu edhe palëve që të jesh gjyqtare e nuk je daktilografe, se shpesh më kanë përzier me daktilografe”.

“Po gjithsesi pas luftës ka pasur shumë gjyqtare, sidomos vitet e fundit ka jashtëzakonisht shumë femra të cilat vendosin me marrë drejtimin e gjyqësorit dhe tashmë është përditshmëri, nuk është asgjë e jashtëzakonshme”, ka thënë Daka.

Sipas saj, të ishe gjyqtare në vitet e 80’ta dhe të jesh tani nuk ka shumë dallim, përveç se shumë ligje kane ndryshuar.

“Atëherë kemi punu me ligjet e ish-Jugosllavisë, ndërkaq tash janë ligje tjera, po s’është ndonjë ndryshim i jashtëzakonshëm”.

Daka mes tjerash ka folur edhe për jetën personale. Ajo ka thënë se edhe atëherë pas orarit të punës, por edhe tani është amvise e cila kujdeset për familjen edhe kryen punët e shtëpisë.

“Edhe atëherë edhe tash pas punës unë jam amvise e thjeshtë, pra si të gjitha femrat. Gjithsesi edhe jam e rrethume me meshkuj, se s’kam vajzë, kështu që ajo tenxherja nuk më është hequr kurrë prej dorës, as atëherë as tash. Po edhe tash para se me ardhë këtu e kam bo drekën dhe kam ardhë”, ka treguar ajo.

Related Articles