Varroset lideri i fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev

Varroset lideri i fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev

Mikhail Gorbachev, lideri i fundit sovjetik që solli përfundimin paqësor të Luftës së Ftohtë, sot do të varroset në Moskë, katër ditë pasi vdiq në moshën 91-vjeçare.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në funeralin për shkak të orarit të tij të punës, thotë Kremlini.

Megjithatë, kjo shihet gjerësisht si një nënçmim ndaj njeriut që mbikëqyri shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Putin dikur e quajti shpërbërjen e BRSS si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”.

Gorbachev mori pushtetin në 1985, duke prezantuar reforma të guximshme dhe duke hapur BRSS-në ndaj botës.

Por ai nuk ishte në gjendje të parandalonte kolapsin e bashkimit në 1991 dhe shumë rusë e fajësojnë atë për vitet e trazirave që pasuan.

Jashtë Rusisë, ai respektohej gjerësisht, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres që tha se ai kishte “ndryshuar rrjedhën e historisë”, dhe presidenti i SHBA Joe Biden e quajti atë një “lider të rrallë”.

Fondacioni Gorbachev thotë se ceremonia e varrimit do të fillojë në orën 10:00 me orën lokale (07:00 GMT), me anëtarët e publikut që do t’i bëjnë nderimet e fundit zotit Gorbachev.

Më vonë të shtunën, Gorbachev do të varroset në varrezat më të mëdha të Moskës, Novodevichy, i cili është vendi i fundit i prehjes së shumë rusëve të shquar. Ai do të varroset pranë gruas së tij Raisa, e cila vdiq nga leucemia në 1999.

Related Articles